Të dashur miq; duke filluar që sot, çdo të shtunë në faqen time do tju ofroj pjesë -pjesë në shqip këngën e vajit- kryevepër, një hymn mbi jetën dhe luftën ,të poetit të shquar grek JANNIS RICOS. Vepra e ka frymëzimin nga vrasja e punëtorit të fabrikës së duhanit në Selanik, Tasos Tousis, në demostratë duke kërkuar të drejtat e tij në vitin 1936, nga xhandarët qeverisë të diktatorit Metaksa .Vepra është përkthyer nga unë pas një pune të kujdesshme disavjeçare.Ju lutem, mirëpres kritikat tuaja.Me respekt.
E P I T A F I
“”””””””””””””””””
I
Bir, ti shpirt i shpirtit tim,
e zemrës zemër, bir,
ti zoçkë në avllinë e varfër,
lule në shkretëtirë,
ato syçka si tu mbyllën
dhe nuk e sheh që qaj,
ti rri i shtangur, nuk dëgjon
që nxjerr të vrerta fjalë?
Bir, për çdo ankesë tonën
gjithnjë gjeje shërim,
pikasje bile, çfarë kalonte
dhe nën qerpiku tim,
mua tani s’ më ngushëllon
s’ artikullon një fjalë
dhe as që mund t’ imagjinosh
si ma brejnë shpirtin plagët?
O zogthi im, ti që ujin
në pëllëmbë të dorës ma sillje,
që përpëlitem nuk e sheh
dhe si kallami dridhem?
Këtu në mes të rrugës
po i zgjidh flokët mi të bardhë,
tënden të vyshkurën mbuloj,
atë të zëmbakut trajtë.
Ta puth buzën e ngrirë,
që e heshtur krejt më rri,
mbetet ajo vulosur,
sikur më mban mëri.
Ti nuk më flet; si gjoksin
e hap, e mjera unë
gjive që qumësht pije
thellë thonjtë, bir, u ngul.
Shqipëroi: Lefter Shomo JR e./1 α
