J A N N I S R I T S OS
E P I T A F I ( 15- 16)
“””””””””””””””””””””””””””””””
X V
Të fortat krahë, biri im,
kur në dritare dilje,
rrugët bllokonin, detet,
zinin të gjithë hyrjen.
Prej hijes kryeëngjellit
përmbytej gjithë shtepia;
veshin, gazia e Afërditës
ta ndriste plot shkëndija.
Dera e gjithë rruzullit,
dritarja jonë ishte;
në parajsë të nxjerr ajo,
ku lulëzojnë yjet.
Flakët rrije vështroje,
kur perëndimi i nxjerr,
anijes i ngjante dhoma jonë
dhe ti një timonier.
Në vagëllim të mbrëmjes,
vonë ,mes kaltërsisë
kundroje galaktikën,
aty, mes qetësisë.
I thyer krejt timoni,
anija mbytur mbeti,
thellësive po vërtitem,
aty në fund të detit.
Akoma nuk po mbytem,
as mbes në sipërfaqe;
bëj të kapem unë diku,
prej leshterikësh kapem
dhe leshterikët thyhen,
jam pre ujrash të fuqishme,
më nuk e di ku ndodem;
poshtë apo në pjesë të sipërme.
XVI
Ç’u ke bërë bir? Ti të bësh keq?
Për atë tënden djersë,
tënden pagesë kërkove
prej njerëzish të padrejtë.
Ti pak bukë u kërkove
dhe ata thikë të ofruan;
kërkove djersën tënde
dhe dorën ta cunguan.
Jo, ti nuk ishe nga ata
që shkojnë si lypsarë,
zemërçelik si ishe,
ti shkove kryelartë.
U sulën drejt mbi ty
si korba tinzarë të zinj;
t’ i mbyllën ato buzë, biri im,
dhe gjakun krejt ta pinë .
Të zbehurat pëllëmbë duarsh,
tani ,i vetmi im, zëmbak,
dy zogjve të nemitur
dhe të trishtuar ngjajnë;
u janë palosur krahët
dhe s’ mund të fluturojnë,
megjithse duarve i mbaj,
ato s’ më cicërojnë .
Ata që të therrën,
therrur të gjithë t’i gjejnë ,o djalë;
t’ i gjejnë prindërit dhe bijtë
zhytur, mbytur në gjak.
Me atë gjak do ngjyej
fundin tim ngjyrëalle,
s’më shkon të qarët .
Ah, biri im , do çohem të hedh valle.
Shqipëroi: Lefter Shomo K/ j.r 15- 16ep.α
