Jehonë-Mihal Gjergji


Mihal Gjergji

Kujdes në Tepelenë, se fjala vret si plumbi

Dhe brengat rrinë kaluar mbi dallgët që sjell lumi

Se fjalën s’e tret dheu dhe s’mund ta mbajë tabuti

Në pritë mbi Muhedinin qëllon Shemo Hajduti

Teqeja pret në Koshtan të kthehen besimtarët

U sosën zemërbardhët, u shembën nga barbarët

E heshtur Zhapokika na pret me dorën shtrirë

Po lulja e pajtimit akoma s’paska mbirë…

Më zbret një re e zezë mbi thinja dhe mbi rrudha

Vështroj nga horizonti dhe pres të hapet udha

Hap sytë në Tepelenë, sarajet kanë vezirë

Një djep rrit luftëtarë dhe tjetri tund vampirë!

Andaj tërbohet era mes grykave të thella

Se burri e mat veten me malet si kështjella

Si xhind me fustanellë dhe xhufkat si dy zjarre

Një dorë e mban te brezi, me tjetrën hyn’ në valle

Të vetmet perëndi me supet si bedena

Janë nënat shamizeza, që mburret Tepelena

Në asnjë skaj të dheut nuk gjenden këto nëna

Me zemrën si floriri, me duart e argjenda!

Tepelenë, Nëntor 2019