Jepmë një puthje-Vaso Papaj


Vaso Papaj

Jepmë një puthje,

Si dielli i jep detit,

Kur shuhet drita e ditës.

Një puthje

Dhe errësira pa u ndjerë

Do t’i rrethojë verigat e galaktikës.

Të më verbohet ca çaste shikimi

Të më zbehen prapësitë e kësaj bote…

Të më harrojë trishtimi…

Dhe vetëm me një puthje

Shpjermë atje ku koha nuk ekziston më.

Qoftë atje ku është vështirë të jetohet,

Por atje ku çdo qelizë

S’do mund të më tjetërsohet.

Të mos thur poezi për yje larg, vitedritë

Nga ato me vargje të ëmbla psherëtimash,

Po për të keqen e pashpirt,

Që po na vdes çdo ditë,

Të lëshoj sokëllima vetëtimash.

Ndaj, jepmë një puthje të pafund.

Të gurgullojë nëpër tërë qenien time.

Dhe kështu, askush s’do të arrij të na mundë.