Jeta ime


Vaso Papaj

Jeta ime i ngjan një filmi,
Një pranverë brenda një dimri.
Komedi qoft’ apo dramë,
Nuk ndryshoj, jam ky që jam.
Jeta ime i ngjan një filmi.
Shkon përpara me revan.

Projektuar në ekran,
Trëndafil në uragan,
Me një lot që e mbaj në dorë,
Spektator a gladiator,
Buzëqeshje veç shpërndaj,
Ndonse jam fajtor pa faj.

Jeta ime i ngjan një filmi,
Filmit i mungonte grimi.
Kur një qeshje, kur ca lot,
Kur shum’ dritë, kur terr i plotë,
Jeta ime i ngjan një filmi,
Të mos ndotem, mos të ndotë.

Kur kam nxehtë e kur të ftohtë.
I pagjumë me ëndrra plot.
Nder pa blerë e nder pa shitur,
Asnjëherë i çoroditur.
S’e kaloj minutën kot,
Zemra…, Zot dhe shpirti…, Zot.

Shpesh mes njerëzish “të dëgjuar”,
Po më shumë me “të harruar”.
Të përpjetë e tatëpjetë,
Nuk u tunda tërë një jetë.
Kurrë një herë i dëshpëruar,
Shpirtin prapë më mbeti vluar.

Jeta ime i ngjan një filmi,
Natë e gjatë e dal nga dimri.
Lumturi duke gjurmuar,
Pafundësi duke ëndërruar,
Jeta ime i ngjan një filmi,
S’pati kurrë titra të shkruar. 

About Post Author