Jeta me nënë-Sulejman Mato


Nga facebooku i shkrimtarit të shquar shqiptar Sulejman Mato.

Sulejman Mato

Ne rrinim në oborr, përballë njëri tjetrit

hija e nënës, e re dhe e bukur, zgjatohej si shtyllë drite,

ajo ishte ulur në stol, thurrte çorapë me shtiza,

po mendjen e çonte larg…

Jeta me nënë ,thoshja unë,

është si deti i madh dhe i paanë…

Zoti ynë që je në qiell,

ndaloje përjetësisht këtë çast,

mos ma ler të ikë.

Ne rrinim në oborr , përballë njëritjetrit

dhe dielli lumturohej mbi kokat tona.

Ajo thurrte çorapë me shtiza

por mendjen e çonte larg.

Jeta me nënë, thoshja unë,

i jep forcë dhe globit në rrotullim…

U jepte forcë bletëve që gumëzhinin rreth lulëve të kumbullës

u jepte gjallëri dhe pulave në oborr që kakarisnin gjithë gëzim.

Zoti ynë që je në qiell, thoshja unë,

ndaloje përjetësisht këtë çast!

Mos ma ler të ik.

Po tani që ti s’je më, ku ta përplas unë kokën

moj nëna ime?!

Kur ti ike

– – –

Kur ti ike

toka ndali për një çast rrotullimin,

rrugët humbën krejtësisht kuptimin.

* * *

S’ kemi kohë për të matur distancat midis largësive.

Në një yll të largët kam flokëbardhën time.

Zemërbardha shqetsohet përditë për fëmijët

ca i ka në tokë,

ca i ka në qiell

Në një yll të vogël kam flokëbardhën time,

e gërryen malli për të dashurit e largët.

Ca i ka në tokë ca nuk e di ku janë…

Dhe ka aq mall, dhe ka aq mall për t’i parë

sa edhe vetë është shndërruar në mall.

* * *

Atje ku jeton ti bien shira monotonë.

Nënë e dashur, kam frikë, mos më ftohesh.

Dikur ishe ti që shqetsoheshe për mua,

tani jam unë që shqetsohem për ty,

të pres çdo natë të më vish në ëndrra.

Jam nisur shumë herë të vij gjer aty

po shtigjet s’i njoh, shenjat e qiellit s’i di.

Aty ku jeton ti thonë gjelbërim nuk ka,

as zogj as flutura as zile bagëtish,

aty ku jeton ti shtëpizat u ngjajnë

reve në lëvizje.

Larg , larg, shumë larg,

me rri e veshur me mjegull drite.

Ishte një kohë e largët, e largët

E unë kisha nevojë të të kisha pranë.

Unë kisha shumë punë dhe ti më prisje,

Prisje, gjithë ditën me sytë te dera.

Tani unë kam shumë kohë për të qëndruar më ty.

Lëviz një degë shiu , të të shoh ku je…

Po ti je larg dy galaktika.

* * *

Isha mësuar me zërin tënd

si zogjtë me erën dhe me qiellin.

Tani qielli im ka mbetur i shkretuar,

pa asnjë re të bardhë përkujtimi.

*. *. *

Në bregun me ullinj rri i vetëm dhe i harruar

si hija e parë e njeriut të botës.

Ndërsa ti, si një zonjë e rëndë, e rëndë,

shëtit e vetmuar në qiej të tjerë,

Unë dal çdo mbrëmje e të pres të vish,

se kam kaq shumë gjëra për të të thënë.