Jeta, një tjetër dimension-Llesh Gjoka


Llesh Gjoka

Portë e horizontit që hapet është jeta

Eksplodon lindja

Aurorë kristalesh të arta

Ditëpagëzimi me blatë

Një foshnjë që bëzan pafajësisht

Êshtë fillimi i një skenari, ku qielli është mëshira

Toka – veç lutje e përgjërime sythesh që duan të çelin

Ajri është frymëmarrja që mban gjallë

bimë, kafshë dhe njerëz të përvuajtur

Ose më mirë

të gjithë ata me dashuri të munguar

që ushqehen me mbetje

ç’ka la fryma e një kaceku.

Këmbësorë të komanduar

në karvanin e gjatë pa fund

Zëra tê ngjirur, pa jehonë

udhës në një përulësi të përkryer

Fatshkruar hyjnish, bij të dhimbjes krenare.

Të tjerët janë ndryshe

Farisej të grabitjes, të gjakut dhe litarit

Të paudhë dhe të pa skrupuj

Ata që predikojnë

qëllimi justifikon mjetin

Në kupola të larta qeshin e zgërdhijnë.

E liria?

Liria përpëlitet nën këmbë zuzarësh

E nominuar fatkeqe për çmim Nobël

me duart shtërnguar në fyt.

E paqja?

Paqja dridhet nga të shtëna topash

Në Kiev, në Gaza, në tym të zi

Emisarët udhëtojnë nëpër qiell

duke nënshkruar dështimin përsëri.

E jeta?

Jeta tkurret nga spazmat e dhimbjes

E asaj që do të lindë

e pasigurtë

mes dashurisë dhe urrejtjes.