Mark Simoni
JO VETËM I HIJSHËM
Krejt i çuditshëm, madje i veçantë dhe interesant, ky hap letrar i Natasha Limajt, për të ardhur me një libër tjetërsoj, si në përformancë, ashtu dhe në stil e percepsion. Një libër në vargje, që ka brenda vetes ca shkurtima impresionante, ka dhe sentenca të kulluara, dhe dilema a trilema të diskutueshme, edhe sinteza të ngjeshura, edhe pusulla të këndshme, edhe porosi të shkruara bukur estetikisht, edhe shënime në formë firmaturash, edhe ligje si pjesë kënge, edhe ekonomi fjale, edhe parabola të ideve avangardë, edhe blice detajesh, edhe feksje e çaste të kapura nga aparati i vemendshëm i poetes, edhe shkreptima emocionesh, edhe jehona të varianteve të një hajku ndryshe, edhe dufe shpirtrore, edhe ohe të brendshme, edhe regtima, edhe vargje si lajme telegrafe, a si lajmthirrje emotive. Sa bukur!
Por të gjitha të shkruara thjeshtë, me një gjuhë shumë komunikative dhe të zhdërvjelltë, të punuar bukur, të sjellë këndshëm në këtë libër.
Vetëm me shikim të parë, dallon se Natasha Limaj ka nga një matricë poetike në çdo faqe, të futur në kuadrate me ngjyra, si në etiketa mallrash të shtrenjtë, si në etiketa të shisheve të vjetra të verës, si matrikuj të cilësive më të larta. Në ato kuadrate është çdo gjë e këtij vëllimi poetik, është talenti i kësaj autoreje, është këndvështrimi letrar i saj, është në një farë mënyre një ditar i detajeve të përditshme, është energjia e brendshme që administron poetja, është butësia dhe revolta që ajo ka në substancën e vet karakteriale, është profili i stilit të të shkruarit, është brishtësia lirike (cepbuza ndize) dhe volumi i lartë për fenomene që e shqetësojnë si qytetare (supërcingun), është sarkazma e lehtë (kokolepsja, sorrëzonja), është loja (më hedh havadan), është raporti i poetes me historinë dhe të vërtetat e saj, (Vlora, Labëria, Ismail Bej) e shumë të tjera. Dhe të gjithë këto përrenj letrar të Natasha Limaj, që mblidhen e mblidhen rrëpirave të jetës, e bien me tërbime dinjitet poshtë, tërë zhurmë, si kataraktet dhe ujvarat, vjen një çast që fashiten dhe bëhen të butë dhe të qetë, deri tek vargu i saj i famshëm: çu kalbe sirtar / Me ëndrrën time në gji / Sa i ngathët je!!!
Natasha Limaj i shpall botës me vargjet e saj se, brenda zemrës nuk ka gjak por vargje, Që të mos plasë nga dufi i brendshëm hedh valle, Sa keq, që të kesh turp nga turpi i tjetrit, Të të vesh një virtyt kur ti se ke, Dhe ti kur nuk vjen, të sjell unë me fantazi, E përdala, u pu pu e gjithë mëhalla!!!! vargje këto që përndrisin këtë libër luksi dhe esence.
Modeli i këtij libri nuk është shumë i njohur, por tërheq rreth vetes lexuesit kureshtar, të vëmendshëm, që e konsiderojnë letërsinë edhe si një art sharmant, të fisme, dhe me një dinjitet të pa diskutueshëm.
Faleminderit Natasha Limaj që i sillni lexuesit shqiptar këtë lloj letërsie, dhe këtë libër me shumë klas.
(Kjo është Pasthënia ime për këtë libër, që doli sot nga shtypi, botim i Shtëpisë Botuese MUZGU, 265 faqe, i gjithi me ngjyra papirusi, letër speciale, poezi shumë interesante)