JONIDA SHEHOLLI

DASHURIA E NËNTORIT
Qiellit i janë këputur rrënjët
Se lisave të dashurisë, u janë shkurtuar degët
Një qyqe vjen e vajton përditë, në cep të dritares me kore të qëruara nga lagështia
Timbër i trishtë, akorduar mbi livadhet e ndjenjës, po luhet telave të mandolinës me gishtat e dorës së ngrirë
Janë tinguj mungese që performohen nëpër perimetrat e ajrit, ku shtrin frymëmarrjen zemra
Sa e çuditshme, dielli mëngjeseve po shndërrohet në të kaltër, pasditeve në të zi
Shpesh, netët po zbresin frikshëm mbi portën e hirtë
E rrudhur erdhi kjo vjeshtë
Me gjëma qe e po shkon ky tetor
Të shpresojmë në nëntorin
Në qoftëse Dita e të Dashuruarve në botë, është lënë për në shkurt
Atëherë, ne do e lëmë në nëntor
Që të jetë ky nëntori i tretë, nëntori i dashurisë
Dua që dy krerët e shqiponjës të jenë njëri krer i zemrës sime dhe tjetri i zemrës sate
Kapilarëve në qendër të qenieve tona të rrjedh gjak përjetësie
Shtiza e flamurit le ta simbolizojë lidhjen tonë që nuk do të shqitet as në botën e përtejme, ndryshe si do të valojë jeta?!