Ju rrëfej kujtimet e mia për Minierën e Bakrit Kurbnesh…Albert Z. Zholi


  Kujtimet e ish përgjegjësit të minierës së Kurbneshit  Ndue D Gjikolaj:

-Si u kthye kulla jonë në hotel banimi për inxhinierët rusë dhe minatorët

-Ju rrëfej kujtimet e mia për Minierën e Bakrit Kurbnesh nga (1 tetor 1954 – 20 gusht 1995

– Minerali i bakrit në këtë vend, ishte shumë i pasur, me katër përqind bakër, i cili shkonte direkt në Metalurgjinë e Rubikut për shkrirje.

– Shfrytëzimi i Minierës së Kurbneshit, filloi në vitin 1956 ku 10 specialistët e parë, erdhën nga Rubiku bashkë me drejtorin Xhavit Hatibi

-Pasuri nëntokësore janë të shumta që nga bakri, hekuri, kromi, por edhe nafta e uraniumi, një mineral i rrallë, që përmban produkte shumë të çmuara për industrinë bërthamore

-Unë di dhe vendin, ku është nxjerë minerali i uraniumit, të cilit për 32 vjet tranzicion, nuk i është zënë as emri, nga autoritetet institucionale shtetërore

– Nga goja e tyre dëgjojmë veç fjalët: “Shqipëria nuk ka”, “Nuk kemi teknologji dhe mundësi ekonomike, për ta shfrytëzuar”, etj.

Bisedoi: Albert Z. ZHOLI

Kurbneshi është një krahinë në zemër të Selitës në Mirditë, që shtrihet në shpatet dhe luginën mes tre maleve të lartë të bjeshkëve: Malit të Kunorë – Valmorit, Malit të Didhes dhe Malit të Mullit, që janë rreth 1500 metra mbi nivelin e detit. Në këmbët e këtyre maleve rrjedh përgjatë luginës, lumi i Urakës me ujin e tij të kristaltë, ku rritet trofta e shijshme me pika të kuqe. Kurbneshi ka një shtrirje të gjërë gjeografike, ku përfshihen gjithsej, 12 fshatra, që janë: Zajsi, Lufaj, Bozhiqi (Bardhaj), Lëkunda, Kurbneshi, Mërkurthi, Kumbulla, Gjoçaj, Zall-Gjoçaj, Melthi, Dajçi dhe Lami i Madh. Sqaroj se këto fshatra, në kohë të ndryshme, kanë pasur ndarje të ndryshme administrative, ku Zajsi, Bozhiqi e Kurbneshi, për një farë periudhe, kanë shkuar me rrethin e Matit, ndërsa Mërkurthi e Lajthiza, kanë shkuar me rrethin e Dibrës.

-Ju jeni nga Kurbneshi, vendi ku për 4 dekada u ndërtua dhe funksionoi një nga minierat e bakrit më të mëdha në Shqipëri. Çfarë mund të na thoni për këtë vend?

Kurbneshi është një krahinë e njohur mineralmbajtëse dhe me resurse të veçanta turistike në vend, ku përmendim destinacionin turistik të Kroit të Bardhë, një burim ky me vlera të rralla kurative, përmendim Shpellën e Shutërrisë, ku gjendet dhe një lumë i nëndheshëm, si dhe Shpellën e Mërkurthit, objekte këto, që vizitohen me shumë interes, nga turistët e  huaj e vendas të aventurës. Kurbneshi numron edhe pesëmbëdhjetë shpella të tjera dhe ka pesë monumente kulture, që mbrohen nga shteti. Por, bukuritë natyrore të këtij vendi, duken edhe më të plotësuara me pasuritë minerare, që shtrihen në thellësitë e nëntokës. Këto vlera natyrore, e bënë të njohur në mbarë vendin, emrin Kurbnesh, sidomos pas vitit 1954, kur kërkimet gjeologo – zbuluese dhanë sihariqin e kapjes së trupit të mineralit të bakrit. Kjo solli edhe ndryshime të mëdha për zonën, pasi këtu u hap edhe Miniera e re e Bakrit, ku do të punësoheshin qindra vetë, banorë të zonës dhe të rretheve fqinj. Fillimisht shfrytëzimi i mineralit të bakrit bëhej në karrierë (në sipërfaqe). Këtu u ngritën edhe barakat e para për minatorët, gjeologët dhe drejtuesit e minierës dhe më pas u hap edhe galeria e minierës, ku shfrytëzimi bëhej në thellësi të nëntokës. Dita ditës rritej miniera, që u lidh me rrugë makine dhe filloi të ndërtohej edhe qyteti i ri i minatorëve – Kurbneshi. Banorët e zonës e pritën si drita diellin, këtë zhvillim të kësaj zone të panjohur më parë. Unë isha fëmijë në atë kohë dhe i kujtoj me shumë nostalgji ato ritme të larta pune, që i sollën një fytyrë të re Kurbneshit. Janë kujtime e mbresa të rralla, që kanë lënë gjurmë në memorien time. Qysh në fillim, familja ime u lidh me jetën e kësaj miniere. Aty punonte edhe babai im, Dod Gjikolaj.

Kulla ime e gurtë, Monument Kulture, u kthye në një strehëz për minatorët dhe gjeologët dhe në oborrin e shtëpisë magazinohej e gjithë baza materiale për ndërtimin e Minierës. Kështu, ne u lidhëm fort me këtë minierë, ku lexonim të ardhmen tonë dhe të brezave, që do të vijnë.

-Ku filluan kërkimet e para në këtë zonë?

Kërkimi gjeologjik filloi nga lumi i Urakës, Përroi i Rrëpeshkut e deri tek ara e Dod Nikoll Mërdhoqit, në Lak të Kishzës, ku tek vendi i quajtur Pusi, në lartësinë 940 metra mbi nivelin e detit, nisi dhe shfrytëzimi në sipërfaqe i vendburimit. E theksoj se minerali i bakrit në këtë vend, ishte shumë i pasur, me katër përqind bakër, i cili shkonte direkt në Metalurgjinë e Rubikut për shkrirje. Këtë vendburim, e kishin konstatuar edhe më heret çoban të zonës, të cilët gjatë verës, kur kullotnin bagëtitë pranë Pusit, kishin ndjerë erën e fortë të gazit sulfuror, që lironte minerali i bakrit, nga temperaturat e larta të stinës. Dhe aq i fortë ishte ai gaz, saqë shpesh çobantë i zinte edhe koka, po të qëndronin gjatë aty. Për shkak të gazit, që dilte në atë vend, i vunë edhe emrin, Pus. Në atë kohë, unë isha fëmijë 5 vjeç dhe shkoja shpesh pranë atij pusi, për të kullotur qëngjat. Babai im Dod Gjikolaj, që atëherë ishte 35 vjeç, punonte me gjeologët. Familja ime, ashtu si shumë familje selitase, u lidh me këtë hapje të industrisë minerare në Kurbnesh. Mua më bënte përshtypje kjo punë, por më tërhiqte edhe babai im, që punonte aty. Ndaj edhe qëngjat do t’i kullosja aty pranë Pusit, që të shikoja edhe babën, duke punuar. Ai ishte i lumtur, që punonte me gjeologët dhe kjo më jepte kënaqësi edhe mua, si fëmijë, pasi puna në Minierë e ndryshoi shumë ekonominë e familjes tonë. Të gjithë punonin shumë dhe me përkushtim. Ishin ritme të larta pune ato, që kujtdo i bënin përshtypje.

Folëm për kërkimet, por….Kur filloi shfrytëzimi i minierës së Kurbneshit?

Shfrytëzimi i Minierës së Kurbneshit, filloi në vitin 1956. Dhjetë specialistët e parë të Minierës, erdhën nga Rubiku bashkë me drejtorin Xhavit Hatibi, një burrë i

zoti, shtatlartë, i pashëm, i aftë në organizim e drejtim, i thjeshtë, i afërt dhe shumë dashamirës në komunikim me të gjithë punonjësit, që e donin dhe e respektonin aq shumë, për vlerat intelektuale e njerëzore, që kishte. Rritej dita ditës Miniera, por dhe Kurbneshi mori një zhvillim e gjallëri të re. Ndaj, unë fillova ta dua me zemër Minierën e Bakrit Kurbnesh. Më pëlqente puna që bënte aty, baba im dhe unë kisha dëshirë t’i ngjaj atij, sepse minatorët i donte dhe i respektonte e gjithë zona. Ata i quanin njerëz të fortë e të zotë, që dinë t’i kapërcejnë të gjitha vështirësitë, i quanin luanë të nëntokës. Këto ishin dhe motivet, që më lidhën edhe mua me Minierën e Bakrit Kurbnesh, ku punova e jetova me frymëmarrjen e kësaj Miniere, që njihet si ish thesari i ekonomisë së vendit. Ajo na bëri krenarë dhe ne krenoheshim me të, në çdo bilanc e përvjetor. Ndaj edhe sot, që jam pensionist, unë e ndjej veten krenar, që kam qënë pjesëtar i armatës së madhe të minatorëve pararojë të Kurbneshit. Dhe ky është edhe motivi, që më shtyn mua të shkruaj kujtimet e mia për Minierën e Bakrit Kurbnesh, ku kam kaluar një jetë pune e veprimtarie të përkushtuar, të lidhur me këtë Minierë.

Kujtimet e mia për këtë vendburim minerar, nisin herët, qysh me sondat e kërkimit gjeologjik në vitin 1954, për të vazhduar më pas, me shfrytëzimin e Minierës, deri në vitin 1995, kohë kur ky vendburim, më i madhi në vend, pas atij të Kromit në Bulqizë, u mbyll. Mbyllja e Minierës së Kurbneshit, u prit me një keqardhje të madhe, jo vetëm nga ish minatorët dhe banorët e zonës, por edhe më gjërë, sepse galeritë e kësaj miniere, për rreth katër dekada, i dhanë Atdheut thesarin e ekonomisë së vendit. Aty është derdhur lumë djersa e qindra e mijëra punonjësve: minatorë, specialistë, teknikë, inxhinierë e drejtues, që i dhanë emër e zë Kurbneshit, kësaj krahine të harruar më parë. Si njohës nga afër dhe si dëshmitar okular i zhvillimit dhe i rritjes së Minierës së Kurbneshit, si ish minator dhe më vonë si ish përgjegjës i kësaj miniere dhe si ish Kryetar i Këshllit të këtij qyteti, e ndjej për obligim, që të rrëfej kujtimet e mia për historinë e Minierës së Bakrit të Kurbneshit. Dëshira për të shkruar për këtë minierë të zëshme, u nxit edhe nga shumë miq e shokë të mi, ish minatorë e drejtues dhe bashkëpunëtorë për shumë vite. Sigurisht, për mua, Miniera e Bakrit Kurbnesh, është një dashuri dhe një nostalgji e madhe, ndaj vendosa të shkruaj historinë e saj të jetuar e të përjetuar edhe me kontributin tim modest.

Sipas mendimit tim, të mbështetur në përvojën dhe teknologjinë e shfrytëzimit të minierës, por

edhe të shumë specialistëve të vendburimit, inxhinierë të shfrytëzimit e gjeologë të njohur në vend, ajo u mbyll shpejt dhe pa e vjelur plotësisht pasurinë minerare të projektuar të planit të pjerrtë të dishenterisë nr. 12, që shtrihej në krahun lindor të vendburimit Kurbnesh, me rezerva 0,8 deri 0,9 përqind përmbajtje bakri, (CU). Krahas kësaj, shërbimi gjeologjik minerar i kohës, kishte hedhur idenë e intensifikimit të kërkim zbulimit të mineralit të bakrit edhe në zonën tek Nënstacioni Elektrik i Kurbneshit. Në zbatim të këtij projekti, në vitet 80-të, pranë këtij nënstacioni, filluan edhe punimet me sondë për kërkim – zbulimin e mineralit të bakrit, punime që u shtrinë deri në Dropaj të Lajthizës, ku rezultoi edhe me prova laboratorike, e njëjta përbërje minerare me përmbajtje kupriku. Mendimi gjeologjik ishte për kapjen e një trupi masiv minerar të bakrit, me një jetgjatësi të madhe shfrytëzimi, që mund të kapëcente edhe më shumë se një shekull. E theksoj, se këto mendime për kërkim zbulimin e mineralit të bakrit në zonën e Kurbneshit, janë shprehur edhe në disa takime e biseda të organizuara me stafin më të kualifikuar të shërbimit gjeologjik shqiptar, si me Doktorin e Shkencave, inxhinier gjeolog, Ded Kolndeu, me ish kryegjeologun, Haxhi Pulaj, me gjeologun Vaxhid Tasimi, me kryegjeologun e minierës Vlash Prenga, me ish drejtorin e Ndërmarrjes Gjeologjike Rubik, inxhinier gjeolog Martin Legisi, etj. Madje, për këtë qëllim, në vitin 1983, në Kurbnesh, u organizua edhe Konferenca Kombëtare Shkencore Gjeologjike, nën drejtimin e Prof. Dr. Lirim Hoxha, një nga gjeologët më të njohur në vend, ish kryegjeolog i Ndërmarrjes Gjeologjike Rubik. Në këtë Konferencë, isha i ftuar dhe diskutova edhe unë, si ish minator e ish drejtues i Minierës Kurbnesh. Mendimet e mia në këtë Konferencë, si njohës i mirë i kësaj zone, me një përvojë të pasur pune prej rreth tre dekadash, u mirëpritën nga të pranishmit, pasi unë jam diplomuar teknik miniere, por kam mbrojtur edhe shkallën e lartë të kualifikimit me komision shtetëror për shfrytëzim minierash, në vitin 1979. Gjithashtu kam plot 17 vjet punë, direkt me martel në dorë, nga mosha 23 vjeç e deri në moshën 40 vjeç, kohë kur u emërova përgjegjës miniere. Në konferencë u fol gjërësisht për problemet e jetëgjatësisë së Vendburimit Kurbnesh, për zbulimin e rezervave të reja minerare, për përsosjen e motodave të shërbimit gjeologjik me teknologjinë e kohës, duke mos lënë pas dore për asnjë çast edhe bashkëpunimin me kërkuesit dhe gjurmuesit popullorë të mineraleve. Konferenca theksoi gjithashtu, domosdoshmërinë e intensifikimit të kërkim-zbulimeve minerare në Zonën e Kurbneshit, për kapjen e trupit të rezervave minerare, që do t’i zgjatnin jetën dhe perspektivën e shfrytëzimit kësaj miniere të madhe. Në atë kohë, sapo ishim informuar, se në magazinat e Bazës së Rezervave të Industrisë në Rrëshen, kishte ardhur edhe një sondë e veçantë për kërkim-zbulimin e mineraleve në thellësi të mëdha, e përshtatshme kjo për kërkimet në Malin e Mullit. E themi këtë, pasi kërkimet me sondë në Malin e Mullit, do të bëheshin 540 metra mbi nivelin e detit, ose 400 metra më thellë se kërkimet në Vendburimin ekzistues të  Kurbneshit. Mendimi gjeologjik, kishte përcaktuar gjithashtu, se masivi shkëmbor i Mullit, ka në thellësi të tij edhe gabro (hapsira boshe), ku sondat e zakonshme do ta devijonin shpimin, ndërsa sonda e re, ishte përshtatur për të mos e lejuar një devijim të tillë. I thashë të gjitha këto, se shërbimi gjeologjik, kishte bërë gati projektet, për t’i hapur perspektivë të re Minierës së Bakrit Kurbnesh, por më kot, sepse gjithë ajo punë e madhe kërkimore e shkencore, mbeti vetëm në letër.

-Ju keni thënë se e pritët me shumë nga demokracia, por në fakt çfarë ndodhi?

Miniera u mbyll, ashtu siç u mbyllën edhe të gjitha ndërmarrjet, minierat dhe fabrikat e vendit, me teorinë famkeqe të “çekut të bardhë” e të “nivelit zero”, që shkatërroi ekonominë kombëtare…! Kanë kaluar 32 vjet tranzicion dhe askush nga politikanët tanë të pasnëntëdhjetës, nuk u penalizua për këto dëme kolosale…!!!??? Pandëshkueshmëria e politikës së papërgjegjëshme na ka çuar këtu ku jemi, që për shkak të varfërisë ekstreme e të papunësisë, brezi i ri po emigron në mënyrë masive për bukën e gojës…!!!??? E prap ne, çuditërisht votojmë shkatërrimin tonë, me politikanë të tillë të inkriminuar e të korruptuar…! Flas me këtë gjuhë të ashpër, sepse koha na dha të drejtë, për këtë mbyllje të shpejtë e të pamenduar mirë, të Vendburimit Minerar Kurbnesh. E them këtë, pasi këtu, u punua me intensitet të lartë shfrytëzimi, por nuk u punua me të njejtin ritëm edhe për perspektivën e kërkim – zbulimit minerar në zonë, ç’ka do t’i sillte Minierës së Bakrit në Kurbnesh, një jetëgjatësi dhe perspektivë të madhe shfrytëzimi. Jam i bindur plotësisht, se me punimet e reja të kërkim-zbulimit, në zonën mineralmbajtëse të Kurbneshit, do të dalin në dritë të gjitha projektet dhe parashikimet e specialistëve, të cilat fatkeqësisht nuk u zbatuan. Jam i bindur gjithashtu, se shpejt do t’i vijë koha, që ky problem do të trajtohet si një domosdoshmëri e madhe e zhvillimit ekonomik të Zonës, që sot ka mbetur e shkretë, ku pas 90-tës, u shpërbë një qytet minatorësh me rreth pesë mijë banorë, u mbyll Miniera, u mbyll Fabrika e Pasurimit të Bakrit, u shkatërruan të gjitha banesat dhe objektet, si të mos ishin…!

-Cilat ishin pasojat e mbylljes së minierës së Kurbneshit?

             Me mbylljen e nxituar të Minierës së Kurbneshit, kësaj zone iu ndërpre jeta normale, iu kufizua “frymëmarrja” dhe gjallëria e saj karakteristike, ku punohej ditë e natë, me tre turne, nëntokë dhe në sipërfaqe, tek Fabrika e Pasurimit, ku lëviznin papushim me elektrovoz, vagonat e mineralit, nga galeritë drejt Fabrikës. Dhe për çudi, gjithë kjo valë pune, gjithë kjo gjallëri, me mbylljen e Minierës, u shua si  një flakë kashte, duke lënë pas një histori, një tokë të heshtur, pa njerëz dhe emrin Kurbnesh, që dikur ishte hambari i ekonomisë së vendit, që realisht, çante bllokadën. Unë dhe familja ime, por dhe të gjithë banorët e Kurbneshit, kemi qënë shumë të lidhur me jetën e kësaj Miniere të Madhe, që na mbajti dhe e mbajtëm, deri sa një ditë, qeveritarët tanë “mendjendritur” e mbyllën papritur dhe pa na pyetur fare, se ç’mendonim për të, ne ish minatorët, specialistët, drejtuesit dhe inxhinierët më të aftë, që kishte vendi. Sigurisht, mbyllja ka qënë rruga më e lehtë dhe më e shkurtër, pa menduar aspak për pasojat dhe dëmet e mëdha, që do të shkaktonte mbyllja e Minierës së Bakrit Kurbnesh…!!!??? Dhe këtë veprim, unë e kam quajtur një qëndrim arbitrar, të pamenduar, të dëmshëm dhe me pasoja për të ardhmen…!

Kushdo që e shikon sot Kurbneshin, ndjen një keqardhje të madhe për masakrën që ka pësuar ky ish qytet i minatorëve, që në kohën  e vet, gjallëronte nga jeta plot vrull e njerëzëve të tij, ku jetonin rreth një mijë familje, disa prej të cilave vinin edhe nga rrethe të tjerë të Shqipërisë. I rrënuar qyteti, e rrënuar Fabrika e Pasurimit të Bakrit dhe e rrënuar Miniera e Bakrit dhe galeria e saj, prej nga dilte minerali, që mbante në këmbë ekonominë e vendit. Pamjet që sheh sot, në këtë vend, janë trishtuese dhe ngjajnë me shkatërrimet e një lufte…! Aq më tepër trishtuese janë këto pamje për mua, që linda, u rrita dhe u plaka në këtë vend. Kur kujtoj se si ishte Kurbneshi dhe si u bë gjatë tranzicionit, që mbeti vetëm me tetë a nëntë familje vendase, mua bashkë me lotin, më duket sikur më pikon gjak edhe shpirti nga keqardhja e dhimbja, që ndjej për të. Por, jam i pafuqishëm për ta sensibilizuar opinionin, që shteti të mendojë edhe për Kurbneshin, që i ka dhënë shumë Shqipërisë dhe ka rezerva për t’i dhënë prap shumë e shumë më tepër, me resurset mineralmbajtëse dhe resurset turistike, që ka. Dhe këtë, nuk e them vetëm unë si vendas, por e thonë edhe shumë figura të ndritura të shkencës, specialistë të njohur, inxhinierë e drejtues të shquar të industrisë, që kanë punuar e jetuar në Kurbnesh. Por, më së pari, Kurbneshi ka nevojë për një vullnet të mirë politik të shtetit, që t’i nxisë e t’i çojë përpara projektet e mbetura, të intensifikojë punimet e kërkim-zbulimit të mineralit të bakrit, për t’i dhënë jetë e progres Kurbneshit dhe për t’i sjellë të ardhme kësaj zone të pasur mineralmbajtëse.

-A ndjeni sot nostalgji për Kurbneshin dhe minierën?

Shumë! Nostalgji për Kurbneshin, që kishte jo vetëm një Minierë të fuqishme bakri dhe një fabrikë të madhe pasurimi të mineralit të bakrit, por edhe një spital të madh e të kopmletuar, ndër më të mëdhenjtë në veri, kishte shkollë të madhe 9-vjeçare, kishte shkollë të mesme industriale e shkollë të mesme bujqësore, që gumzhinin nga zërat gazmorë të qindra e qindra nxënësve, me e pashkëputje nga puna.

-Po sot çfarë ka?

 Asgjë…! Të gjitha u shkatërruan…! U shkatërruan për mungesë të dorës së shtetit…! U shkatërrua Spitali, u shkatërruan shkollat dhe sot ka mbetur vetëm një shkollë 9-vjeçare me nga pesë a gjashtë nxënës për çdo klasë…!!!??? Dhe kjo situatë, nuk është vetëm shkatërruese, por edhe trishtuese për brezat e rinj, që nuk kanë ku të shkollohen, nuk kanë ku të punojnë edhe pse e duan shumë vendlindjen e tyre, Kurbneshin…!!!??? Kurbneshi, që kishte edhe Spital modern dhe dy shkolla të mesme, sot nuk ka as një ambulancë, për të marrë ndihmën e shpejtë në raste emergjence…! Kjo gjendje dihet tashmë nga të gjithë, e megjithatë, pushteti vendor hesht dhe duket me premtime boshe, vetëm në kohë fushatash, për të vjelur votat me mashtrime, që kanë mërzitur edhe të vdekurit në varr dhe jo më të gjallët…! Atyre jua ka zënë sytë korrupsioni dhe nuk shohin asgjë tjetër…! Pushtetarët tanë bëjnë vetëm punët, që ju sjellin para për xhepat e tyre dhe nuk mendojnë aspak për zhvillimin ekonomiko-shoqëror të vendit, ku në hartë është edhe Kurbneshi, që gradualisht tani po i harrohet edhe emri…!!!???

Unë jam kurbneshas denbabaden, me një histori mbi 300 vjeçare dhe jetoj në Kullën e Gurtë 200 vjeçare të Gjikolajve, Monument Kulture. Jam i lidhur fort me këtë vend dhe mendoj shumë për të. Kam folur shumë dhe me zë të lartë, për të gjitha këto pasoja të rënda, që solli politika e mbrapshtë dhe mendjelehtë e qeveritarëve tanë të papërgjegjshëm, që ditën veç t’i venë një kryq Minierës së Kurbneshit dhe nuk menduan aspak për pasojat shkatërrimtare, që solli ajo për këtë zonë të njohur mineralmbajtëse. Fola unë, foli Kurbneshi dhe banorët e saj, folën drejt dhe me projekte jetike e dritëdhënëse edhe specialistët e shquar të kërkim-zbulimit të mineraleve, për të ardhmen e kësaj zone, por nuk i dëgjoi askush…!!! Heshtja është vdekje, është vrastare, njëllojë si shkatërrimi, por u mësuam edhe me gjuhën e heshtur të pushtetarëve tanë, që duket se as nuk kanë dëshirë të na dëgjojnë dhe as nuk kanë ndërmend të ndryshojnë asgjë nga ato, që zëri i Kurbneshit thërret sot fuqishëm: “Ndihmë..! Ja ku jam…! Më ngrini, që të ju mbaj, siç ju mbajta në këmbë për dyzet vjet me radhë…”!

-A ka shpresë të ringjallet Kurbneshi?

Po! Megjithato, Kurbneshi, edhe në atë gjendje, ku është katandisur, ka shpresë dhe pret dorën e ngrohtë të pushtetit e të njerëzve të tij të ditur e punëtorë, për t’u ringritur në nivele të reja ekonomike edhe më të mëdha, se ato që ishin. Pret të zbatohen teknologjitë e reja bashkëkohore të kërkim-zbulimit, që do t’i sjellin atij të ardhme dhe perspektiva të reja zhvillimi për zonën. Minerali i bakrit aty është, pasuritë nëntokësore, po aty flenë, por duhet thelluar puna kërkimore për zbulimin e mineralit të bakrit, duke aplikuar edhe metodat e reja të kërkim-zbulimit, siç është metoda me rreze lazër, që ka avantazhe të mëdha krahasuar me metodat e tjera. Kjo metodë e re kërkim-zbulimi, filloi të aplikohej për herë të parë në vitin 1985 dhe po zbatohet me shumë efektivitet. Sigurisht, ajo nuk zëvendëson kërkimin me sondë, që është për të konkretizuar sasinë e rezervave minerare, por i paraprinë asaj, për ta orientuar atë, drejt kapjes së trupit minerar, duke përcaktuar shtrirjen dhe thellësinë e mineralit. Pra, nëntoka ka të fshehtat e veta, ku gjenden mineralet, thesaret e nënëtokës, si: bakri me 82 nënproduktet e veta, kromi me nënproduktet e tij, ari e argjendi, sermi, etj, ku kërkimi me rreze lazër, është ai që i gjen dhe i përcakton ato, duke orientuar saktë dhe drejtë, kërkimet me sondë, që përcaktojnë dhe sasinë e rezervave dhe përmbajtjen e tyre.

-Çfarë do të thoni për pasuritë e nëntokës shqiptare?

Pasuri nëntokësore janë të shumta që nga bakri, hekuri, kromi, por edhe nafta e uraniumi, një mineral i rrallë, që përmban produkte shumë të çmuara për industrinë bërthamore. Unë di dhe vendin, ku është nxjerë minerali i uraniumit, të cilit për 32 vjet tranzicion, nuk i është zënë as emri, nga autoritetet institucionale shtetërore, por nga goja e tyre dëgjojmë veç fjalët: “Shqipëria nuk ka”, “Nuk kemi teknologji dhe mundësi ekonomike, për ta shfrytëzuar”, etj.

-I bëj pyetjen vetes: Ku është uraniumi shqiptar sot? Ku ka shkuar ky mineral i rrallë dhe i çmuar në këto 32 vjet demokraci? Ku janë të ardhurat e këtij minerali dhe pse rrugët e Shqipërisë, nuk janë asfaltuar, kur mundësitë për ta bërë një gjë të tillë, janë të mëdha ? Janë pyetje këto, që mbeten pa përgjigje, pasi dihet shkalla e korrupsionit të qeverive tona, që kanë shfaqur një babëzi të paparë, për të vjedhur çdo gjë nga pasuritë e shumta të këtij vendi, që sot klasifikohet jo vetëm më i korruptuari në Europë, por për pasojë edhe më i varfëri në Europë. Për shkak të korrupsionit galopant, ne kemi dhe pagat më të ulëta, pensionet më të ulëta, të ardhurat mesatare më të ulëta, por kemi taksat dhe tatimet më të larta në Europë. Pra, e thënë shkurt, qeveritarët tanë, të majtë e të djathtë, njëri pas tjetrit, pas vitit 1990, janë majmur e pasuruar mbi varfërinë e skajshme të këtij populli të shumëvuajtur, që ende për të, nuk erdhi kurrë, asnjë ditë e bardhë dhe e lumtur, që ai të jetojë normal dhe i lirë në vendin e tij, ashtu si gjithë popujt e tjerë të Kontinentit…!!!??? Korrupsioni po i merr frymën Shqipërisë, ka krijuar kriza ekonomike, papunësi dhe varfëri të skajshme tek shqiptarët, që për të mbijetuar, kanë marrë rrugët e emigracionit nëpër botë. Të gjithëve ju dhëmb shumë kjo plagë e rëndë shoqërore, veç qeveritarëve tanë, u duket një gjë normale…!!!??? Kështu, Shqipërisë po i ikën rinia, po i ikën truri i inteligjencës, sepse në këtë vend, me shumë pasuri kombëtare, mbi tokë e nëntokë, me shumë resurse turistike, për t’i pasur lakmi çdo vend tjetër, nuk ka punë, sundon varfëria dhe korrupsioni, që po minos çdo ditë e më shumë, demokracinë në vend…!!!??? Krimi dhe Korrupsioni si “binjakë” të së keqes së madhe, që po i varfërojnë shqiptarët, tashmë kanë në krahë pandëshkueshmërinë e politikanëve, që janë pjella më e keqe dhe më e urryer e Shqipërisë, që nuk kanë të ngopur me vjedhjet, mashtrimet, hatërllëqet e tenderat korruptivë…! Ata mbajnë e mbrojnë njëri tjetrin, për të shmangur ndëshkimin dhe po ja bëjnë me sy edhe drejtësisë së re, që po ngrihet, për t’i thënë me kërcënim: “ KUJDES ME NE…”!!!???

Unë di se në misionin e tyre, politikanët duhet të jenë shërbëtorë të popullit dhe jo vjedhës e sundimtarë të tij, siç ka ndodhur në këto 32 vite tranzicion në Shqipëri, ku fjala mirëqënie për popullin, nuk ekziston më në programin e tyre, por veç babëzia për të vjedhur gjithshka dhe sa të mundin më shumë…!!! Dhe për këtë flasin faktet: Sipas përllogaritjeve të bëra nga ekspertët ndërkombëtarë, sot paga e një punonjësi në vendin tonë, nuk duhet të ishte më pak se 1000 (një mijë euro), kur ajo është rreth 400 (katërqind euro), pensionet janë qesharake dhe si të mos mjaftonte kjo, qeveritarët tanë kanë rritur nga viti në vit, çmimet, taksat dhe tatimet, që janë nga më të lartat në rajon. Pse ndodh kjo? Përgjigjia është e qartë, pasi sipas ekspertëve ndërkombëtarë, del se në Shqipëri, për çdo një mijë vetë, 168 prej tyre, janë hajdutë. Fakte tronditëse dhe alarmante këto, për shqiptarët, që për shkak të hajnisë së babzitur të politikanëve, jetojnë në varfëri, vuajnë nga papunësia dhe pasiguria për jetën dhe korrupsioni ju ka zënë frymën. Paga e një minatori sot në Shqipëri, është më e vogël se paga e një sanitareje në një institucion…!!!??? Minatori është pa status dhe merr një pension tepër qesharak, që nuk i mjafton as për ilaçe. Rritet çmimi i energjisë elektrike dhe për pamundësi pagese të faturës mujore, fukarait i priten dritat, por edhe burgoset…!!! Ka pasur raste, që të burgosurit për mospagesë të energjisë elektrike, të pushtuar nga stresi i varfërisë, edhe janë vetvrarë në burg…! Bëjmë pyetjen: Po shteti, ku e ka humanizmin e vet, për njerëzit dhe familjet në nevojë emergjente? Kuptohet se kujdesi i shtetit mungon, sepse politikanët tanë nuk janë shërbëtorë të popullit, por hajdutë dhe sundues, për t’ia bërë jetën sa më të vështirë atij…!!!??? Ndaj kemi të drejtë të themi, se politikanët tanë, po i vrasin shpresën dhe të ardhmen këtij vendi. Emigracioni masiv në këtë dhjetvjetëshin e fundit (2012 -2022), flet qartë, se rinia po e braktis Shqipërinë, sepse shteti nuk ka krijuar asnjë kusht punësimi e jete normale për ta. Mungesa e punësimit ka bërë, që këtu të jetojnë veç pensionistët, që edhe ata mbahen me të ardhurat, që ju dërgojnë fëmijët e tyre nga jashtë shtetit. Kjo nuk është jetë normale, me familje të copëtuara e të ndara për së gjalli për shkak të mungesës së kushteve të jetesës.

Unë kam punuar një jetë minator në Kurbnesh. Paga ime ishte e lartë dhe e pakrahasueshme me profesionet e tjera, kujdesi i shtetit për minatorët ishte i veçantë dhe puna e minatorëve vlerësohej, për të gjitha vështirësitë dhe sakrificat që përballonim në punë. Pra, brezi im u mësua me sakrificat dhe vullneti për punë ishte parësor në realizimin e detyrave. Pasojë e këtyre sakrificave është edhe sëmundja e silikozës tek unë, që po e vuaj që nga viti 1987 e këtej. Unë dhe shokët e mi minatorë i dhamë atdheut thesare për rreth dyzet vite, por këto thesare, nuk i mori as Kurbneshi, as Mirdita, por shteti shqiptar, që na la në këto kushte të tilla të vështira: pa punë, pa kushte jetese, me pleqëri në vetmi, me rrugë të paasfaltuara dhe me shtëpi të braktisura. Ne ish minatorët e Kurbneshit dhe familjet tona, që i dhamë aq shumë këtij vendi me punën dhe djersën tonë, nuk e meritonim një fund të tillë të pashpresë dhe të izoluar nga vetmia, që shkaktoi emigrimi i gjithë brezit të ri, për mungesë kushtesh për të jetuar. Ndaj, kam të drejtë të flas dhe ta ngre zërin për hallet tona, që janë shtuar për mungesë të kujdesit dhe të shërbimit të shtetit e të qeveritarëve tanë të majtë e të djathtë, që vetëm çeshtja e korrupsionit i ka ba “vëllezër” me njëri tjetrin, për të vjedhur herë njëri krah, e herë krahu tjetër dhe për të heshtur e për të mos e denoncuar kurrë vjedhjen dhe pisllëkun e tyre, që e ka çuar në varfëri ekstreme, këtë popull të shumëvuajtur.

-Si e faktorizoni sot minierën që ju kishit lidhur jetën?

Miniera e Bakrit në Kurbnesh, ishte jo vetëm burim të ardhurash për vendin dhe familjet tona, por edhe një shkollë e madhe edukimi dhe kalitje me vështirësitë, ku u kualifikuam dhe mësuam të fshehtat e profesionit të minatorit. Minatorë e gjeologë, drejtues dhe inxhinjerë shfrytëzimi, ishim si një shtab i organizuar pune, me një kordinim e bashkëpunim korrekt, për t’i marrë nëntokës, pa humbje gjithë pasuritë minerare. Puna na aftësoi të gjithëve, aqsa ishte vështirë ta dalloje minatorin nga inxhinieri i shfrytëzimit. Kualifikimi dhe përvoja e fituar në punë tek minatorët e Kurbneshit, ishin pothuajse të barabarta me atë të inxhinierit, pasi vetë praktika e punës për shumë vite, i kishte bërë ata mjeshtër të vërtetë të kërkimit e të shfrytëzimit të mineralit. Ndaj, ata flisnin dhe debatonin me kompetencë dhe mendimi i tyre zinte vend në çdo analizë pune, për probleme teknike, apo për probleme avarishë e pengesash të tjera. Këtë fakt, e ka thënë mirë e bukur në librin e tij, edhe vetë inxhinieri dhe ish drejtuesi i kësaj miniere, i ndjeri Gjon Bazhella, teksa analizon kulturën minerare në Mirditë.