Justifikimi-Suzana Rama 


Tani dhe pasqyra më mban mëri,

kur më sheh sy të fryrë në mëngjes,

me flokët shpupurisur ngjyrë gri,

si të mos jem e njëjta,ajo që isha dje.

Ashtu si edhe unë, nuk më shikon,

se përpara saj, tani shumë pak rri,

qëndroj para saj për shumë pakëz kohë,

aq sa mund ti duhet të kalojë krëhëri.

Qëndroj më shumë kohë, shumë rrallë,

para pasqyrës, të kujdesem ngadalë,

sa të vendos buzkuq e pak laps të zi,

kur më duhet të dal për kafe me shoqëri.

Pasqyrë e bukur, xhami që shëndrit

s’jam më si dikur, kur isha më e re,

tani unë kam vënë syze dhe për sytë,

dhe gishtat tani shpesh ngërci i zë.

Ditët bëjnë të vetën, vitet shkuan,

dikur ti ishe pasqyrimi im,

pse më krijohet ideja se më thua,

gjithçka shkruajte, është justifikim.