Ka rendur koha-Rudina Muharremi Beja


Ti e di, kur më mer malli

mermerëve trokas e vij të flas…

Vetë më premtove se aty do të jesh,

në mos aty, në grep të hënës

në tingull t’kambanës

apo në dritën e një vetëtime

që plaguar, bie diku…

Ah, ndoshta në këtë çast,

vetëm rrokullisesh nën gardh qerpikësh

Kanë rendur vitet At,

por shiu i verbër që krahët thyente

tjegullave të kuqe,

e me duf rrëzohej xhadesë së vjetër,

zbrazëtia e tmerrshme e atyre ditëve

kujtimeve, gjatë do të mbetet

Edhe shtëpitë tashmë kulmrrëzuara

që s’di në e ruajnë më erën tënde,

oborret gjurmën a ta kanë ruajtur,

kanatet e mbyllura,

e trëndafilët pikëlluar shprese…

Ka rendur koha At,

që kur erërat më morën me vete,

e më dërguan andej nga trishtojnë stinët

lodhja ku është kthyer në vuajtje

për të rënduar gjithmonë fundit të errët të memories,

e shpatullave poshtë të cilave,

krahët e mi të brishtë

presin të shpalosen n’fluturim