Kabaja myzeqare-Petro Sota


KABAJA MYZEQARE

——————————-

Ah, kjo kabaja me klarinetë,

E dredh shpirtin e ngre përpjetë,

E ngre përpjetë shpirtin e burrit,

Ja plas zemrën si plasja e gurit,

Klarinetë, moj të qofsha falë,

Nxirre zërin dhe mos u ndal,!

Fol, ti pra moj, nxirre melodinë,!

Dhe tregoju pak, për djalërinë,

Djalërinë, që shumë larg mbeti,

Që kurrë s’u kthya nga kurbeti,

Tregoju ti, dhe mos lerë asgjë,

Për t’gjithë ata, që s’u kthyen më,

Për t’zezat gra, që mbetën në zi,

Qaje moj kaba, qaje me melodi,

Për djemtë e rinj me shpirt të lirë,

Që mbetën nizam, nëpër shkretëtirë.

Ah, klarinetë moj, zërin dridhe,

Gjithë pikëllimin, në qiell hidhe,

Që melodia, me nota të flasë,

Të dal nga shpirti, që t’mos plas.

Bjeri lehtë, por që ta dëgjojnë,

Zogjtë e pyllit, këngën t’pushojnë.

Porsi kroji me shushurimë,

Si fëmijët e vegjël, kur gjirin pinë.

Si flladi i lehtë, që tund fijen e barit,

Ah, ky shpirt i butë, i myzeqarit,

Që pikëllimin, nuk e duron dot,

Prandaj këngës, ëmbël ia thotë.

Ëmbël ia thotë, si uji kur zien,

Dhe klarinetën, shpejt rrëmben,

E ve në buzë, si gjirin fëmija,

Dhe shpirti i tretet, nga melodia.

Myzeqeja, tokë e butë me baltë,

Meloditë e shpirtit i ka si mjaltë,

Janë të qeta, por ndezin zjarre,

Si vetë, kjo kabaja Myzeqare.