Kafe turke në mesnatë-Nuri Plaku


Nuri Plaku

Dora jote në supin tim
Ma shenjtëron këtë natë të pagjumë.

Ti vështron me ëmbëlsi gërmat që unë hedh mbi letër
Dhe buzëqesh në thellësi plot kureshtje e aprovim.
Paçka se gërmat e shkruara nuk sjellin asnjë thërrime buke
Dhe nuk shlyejnë asnjë kosto fature, asnjë borxh të mbetur nga muaji i kaluar.
Se gërmat dhe vargjet e mesnatave janë thjesht thërmija shpirti,
Që askush nuk i përfill me dhimbjen e një pene.
Por ti prapë më thua, ani. Ne jemi pjesë e një shpirti të përbashkët
Dhe shpirtrat rrinë zgjuar nëpër gërma e vargje mesnatash.

Ani, grua!
Dhe më sjell një kafe turke gjithë shkumë dëshirash e pasion dashurish
Të çlodhem një çast nga pesha e qerpikëve të përgjumur
Dhe me gishtat e tu, mbushur plot qendisma çarçafësh,
Përkëdhel supet e mi të rënduar.
Teksa avujt e kafesë e thinjin mesnatën tonë të përbashkët
Dhe thinjat e saj bëhen simotra të flokëve tanë të zbardhur.

Ani, grua!
Ne jemi pjesë e një bote në fluturim dhe s’duam asgjë tjetër
Veç të jemi gurë sinoresh në udhën e gjatë të brezave,
Shkruar me gjakun dhe qumështin e të parëve tanë.
Ndoshta vjen një zog pylli të qendrojë një çast mbi ne,
Të shkrifërojë me sqep pëndët e lodhura në stuhitë e qiellit
E të cicërijë një këngë të thjeshtë zogjsh
Kjo është pamje e bukur grua, për një gur – njeri
Dhe ne do ta shijojmë atë, në të nesërmen tonë,
Me sytw e përmalluar të fëmijëve tanë.

Ani, grua!
Dora jote në supin tim
Ma shenjtëron këtë natë të pagjumë.