KALAJA E NDËRTUAR NGA FJALA


Timo Mërkuri
KALAJA E NDËRTUAR NGA FJALA
Përsiatje mbi librin “Vepra me rëndësi të shumëfishtë” të Ajete Zogaj

I- Veprat e studimore dhe letrare të Anton Nikë Berishës, të vështruara nga Ajete Zogaj në librin “Vepra me rëndësi të shumëfishtë[1]” më së pari shihen si një kala e ndërtuar pranë rrënojave të një kalaje tjetër të hershme, themelet e së cilës qenë hedhur qysh në kohëra të hershme me gurë pellazgjikë. Koha e largët e ndërtimit të tyre, pesha e madhe e gurëve të themelit dhe pesha e mureve të larta e të gjera të kalasë kishte bërë që ato, (themelet) të “shkriheshin” e të bëheshin një me truallin shkëmbor dhe si të tilla, t’u qëndronin tërmeteve të hordhive, që suleshin mbi muret të cilat ato i mbanin mbi supe. Erdhi një kohë dhe rrebeshet e zjarr-pushtimeve i gremisën bedenat bashkë me nuset e bardha, ulën flamujt, vyshkën lulet e lemerisën këngët e djemve e vallet e vashave. Shtresa e pluhurit që binte mbi gërmadha u bë farishte dhe fidanishte e bimëve të harrimit.
Pranë rrënojave të kësaj kalaje, pasardhësit e kështjellarëve ndërtuan një lagje banimi, e cila edhe sot quhet “lagjja e vjetër”: me shtëpitë e “ngjitura” njëra me tjetrën, të larta e të ngushta, që prej së largu ngjasojnë me bedenat e një kalaje të re të “mbirë” nga toka. Pamja prej së largu si kështjellë mund të ishte arsyeja pse muret e tyre i ndërtuan me gurë të bardhë gëlqerorë apo pse lanë disa rrugica të kalldrëmta mes tyre, ndërkohë që dritaret i bënë të ngushta, si frëngji kështjelle.
Një arsye e cilësimit “e vjetër” mund të jetë edhe se këto shtëpi u ndërtuan me gurët e mureve dhe portikëve të kalasë, të rrëzuar nga gjylet e luftërave dhe ende mbanin brenda tyre jehonën e gjyleve, e cila u prish gjumin apo u ndez ëndrra të tymta banorëve. Në verë, vapa që rrëshqet nga çatia e gurtë teposhtë mureve, ngjan me ziftin e ndezur që kështjellarët hidhnin mbi sulmuesit, ndërsa në dimër prej mureve buron një lagështirë dhe ftohtësi, që shfaqet mbi suva si njollë apo hije e një fermani të kobshëm, ftohtësinë e të cilit nuk e ngroh dot zjarri i oxhakëve që rrinë ndezur gjithë ditën.
Kjo kala tashmë është një kala moderne, por banorët këmbëngulin ta quajnë “kalaja e vjetër” dhe është pikërisht kjo dëshirë e tyre që të krijon përshtypjen se pikërisht kjo është shkaku që në sytë e tyre pulson një dritësim i veçantë, sa herë që u flasin të huajve për historinë e tyre.
Është, vërtet, një kala interesante: kisha s’ka shumë vite që është ndërtuar e re, por banorët e quajnë: “kisha e vjetër”, ngase është ngritur mbi gërmadhat e kishës së hershme, të tjetërsuar dikur në xhami e të rrëzuar më vonë. Interesante është se dhe qelat e kishës, banorët i thërrasim me emrat e priftërinjve që dikur qëndronin në ‘to si: qela e Gjonit të Bdek Buzukut, qela e Pjetrit të Bogdanëve apo ajo e Pjetrit të Budëve, sikur duan t’i mbajnë pranë vetes emrat dhe kujtimin e tyre. Madje, në varrezat pas kishës, priftërinjtë të tregojnë një varr të mbuluar me rrasë guri mbi të cilën janë gdhendur fjalët: “varri i vjetër i Kostandinit” dhe me një krenari të dukshme të shpjegojnë se: “Kostandini s’ka varr të ri, pasi ai nuk vdiq prapë mbasi u ngjall”. Ai është përjetësisht i gjallë.
Qendra e qytetit i ngjan asaj së dikurshme, një shesh rrethor prej nga nisen rrugët dhe rrugicat nëpër qytet, si rrezet e diellit që shpërndahen në çdo drejtim. Si zakonisht, te ky shesh bëhen ende kuvendime, por tani këto kuvendime bëhen për libra dhe jo për luftëra.
Pikërisht aty, ku dikur turqit kishin hedhur trupin e zhvarrosur të një prifti a të një prijësi lufte për liri (më shumë thuhet se i ndjeri kishte qenë prift dhe prijës), shpeshherë vijnë edhe të huaj që flasin për librat e bijve të këtij qyteti, që bota ende nuk i ka “zbuluar” ato dhe vlerat e tyre. Gjendet lehtë ky shesh, është pikërisht aty ku nga vashat kërcehet shtruar “vallja e librave” dhe djemtë fluturojnë te “vallja e shpatave”.
Është e veçantë kjo kala për arsye se kalaja është e ndërtuar nga Fjala.
II- [..]“Autori i këtij libri i ngjason një arkitekti, i cili e studion deri në detaje projektin e një ndërtese”[..] (f. 22) shkruan Ajete Zogaj te libri i saj, duke na treguar arsyen e ngjashmërisë së korpusit të veprave të Anton Nikë Berishën me ndërtesat e një kalaje dhe më tej duke na treguar thelbin e mënyrës së suksesshme të punës së tij: “Arkitekti” i fjalës së shkruar, Anton Nikë Berisha, i vë ‘themele’ të fuqishme krijesës së tij artistike, pse jo dhe shpirtërore” (f. 22).
Po, Anton Nikë Berisha “ndërton” (krijon) me “fjalën” vepra artistike dhe studimore të cilat kanë në themele faktet historike dhe shkencore, madje këto fakte janë shkrirë në një me “themelet “ e veprës së tij poetike, duke e bërë veprën të qëndrueshme, të pa rrëzueshme nga
“tërmetet”.
Ai është një “arkitekt” dhe “ndërtues” veprash që i qëndrojnë kohës për nga pasuria stilistikore dhe shumësia kuptimore dhe që tërheqin vëmendjen me bukurinë e tyre. Citimi i Ajete Zogaj se: “[…] në strukturën artistike të tekstit poetik, asgjë nuk i është lënë rastësisë. Gjithçka është e menduar dhe e thënë bukur dhe funksionon si një tërësi, si ‘një mur […] i një kështjelle’ i cili nuk duron t’i heqësh asnjë gur” (f. 15); na flet për gjetjen e unitetit artistik të veprës së Anton Nikë Berishës: “Vepra e letërsisë […] është para së gjithash art i fjalës…” (f. 56) thekson Antoni, si një i ditur i moçëm që i tregon rrugën nga të shkojë, një djaloshi të ri,
Ngjasimi i veprës së Anton Nikë Berishës me një kala – kështjellë është lehtësisht i kuptueshëm për ata që kanë lexuar librin e tij “Hyrje në historinë e letërsisë gojore shqipe ”, e cila është një vepër “hijerëndë” si një kala, që gjithsesi të fton të hysh në rreshtat e faqeve dhe të ngjitesh në bedenat e kapitujve të saj, ku përjeton bukurinë, por edhe heroiken e etapave të ecjes së artit tonë gojor dhe s’të bën zemra të largohesh prej saj.
III-Anton Nikë Berisha ka aftësinë të ndriçojë me llambën e arsyetimit dhe të logjikës shkencore zgafellet më të errëta të epokave të hershme, të zbulojë e të identifikojë dijet dhe thesaret e artit gojor, t’i bashkojë copat e fakteve në një mozaik logjik, të zbulojë dhe të bëjë funksionale për kohën e sotme urën “primitive” nëpër të cilën kanë kaluar epokat e artit gojor për të mbërritur te arti i sotëm i kultivuar (i shkruar).
Me metodën e tij të punës ai ndryshoi konceptin e studimit të origjinës dhe kohën e lindjes së disa llojeve të letërsisë shqipe dhe provoi dhe argumentoi vijueshmërinë e artit gojor në artin e kultivuar shqiptar (letërsinë e shkruar). Ai nuk është “një magjistar” i fjalës që krijon vepra nga “hiçi”, ai është një njohës i thellë i “fjalës” dhe i gjuhës shqipe dhe i zhvillimit të tyre nëpër epoka, madje duke e krahasuar dhe ballafaquar edhe me arritjet e popujve të tjerë. Përkthimi i veprave si “Epi i Gilgameshit”, ndër librat më të vjetër të shkruar të njerëzimit, i “Këngës së këngëve”, i “Psalmeve”, të “qasje artit poetik” (Poetikës) së Aristotelit, ka qenë në funksion të këtij studimi ballafaques të zhvillimit të artit oral në epoka të hershme.
Me studimet e tij mbi artin letrar gojor dhe mbi fillimet e artit të shkruar të fjalës shqipe, ai sjell kohën e hershme pranë të sotmes moderne dhe e bën të pranishme tek njeriu ynë i sotëm dhe më gjerë. Anton Nikë Berishës “i mësoi të flasë e kuptojë” shqipen moderne arti gojor i hershëm dhe ne na tregoi se arti ynë gojor, si në fillesat dhe vazhdueshmërinë e tij ka folur vetëm shqip. Argumentoi shkencërisht hershmërinë e llojeve të letërsisë sonë gojore, i lidhi ato me ligjësitë tipike të zhvillimit të shoqërisë shqiptare, si pjesë e tërësisë evropiane dhe si pjesë evropiane e shkëputur nga kontinenti që, e lidhur me disa “zinxhirë azie” tërhiqej si anie e shpartalluar nëpër tallazet e luftërave drejt një lindjeje të panjohur dhe të padëshiruar për të.
Veprat studimore të Anton Nikë Berishës janë të shumta por e përbashkëta e tyre është: themeli shkencor i veprës, gjuha e qartë dhe e rrjedhshme artistike me të cilën është shkruar, informacioni i madh i përzgjedhur nga disa burime të besueshme. Me këto tipare thelbësore autori na sjell gjithmonë vepra tipike të rrafshit të epërm. Ajete Zogaj në librin e vet unqaset dhe i analizon veprat: “Poetika e letërsisë për fëmijë[2]”, “Vepra letrare e Martin Camajt[3]”, “Poetika e fjalëve të gurta”[4], “Arshi Pipa krijues i mendimit të lirë[5]” dhe “Poezia si shtegtim i qenësishëm shpirtëror”[6] dhe ndriçon më të mirën për secilin libër studimor. Me gjithë tiparet e përbashkëta që kanë këta libra si studime shkencore, ato kanë tipare të veçanta interpretimi, portretin e gdhendur dhe vlagën shpirtërore me të cilën janë “gdhendur”. Në kohën që “Poetika e letërsisë për fëmijë” ka një ndjenjë të theksuar shpirtërimi në stilin e të shkruarit “Vepra letrare e Martin Camajt” ka dimensione monumentale te portreti i tij, “Arshi Pipa krijues i mendimit të lirë”, ndoshta ndikuar edhe prej letërkëmbimit të përfshirë në të ka, një frymë debati mes miqsh, ndërkohë që “Poetika e fjalëve të gurta”(Qasje veprës letrare të Azem Shkrelit) ka një frymë poetike dhe shpirtërim vëllazëror që e gjejmë me të njëjtën ngrohtësi edhe te libri “Poezia si shtegtim i qenësishëm shpirtëror”, gjetje që na dëshmon indirekt “dobësinë” dhe dashurinë e Anton Nikë Berishës për poezinë. Këto tipare të veçanta janë vënë në dukje nga Ajete Zogaj në mënyrën e saj të arguemntuar. Mirë, thuhet me të drejtë se analiza – interpretimi i një vepre është gjithmonë në një rrafsh më të ulët se vetë vepra.
IV- Anton Nikë Berisha me “fjalën” e tij poetike krijon vepra “të mira”(A. Z) që lexohen e rilexohen gjersa të mbeten në kujtesën e lexuesit, si për të vërtetuar fjalën e Abbasel-Akkad : “Lexoje një libër të mirë tri herë, sepse është më e dobishme për ty se të lexosh tre libra të mirë”. (f. 13). Vetëm pasi i lexon dhe i rilexon e kupton dhe e ndjen se veprat e tij janë si poema të bukura për nga stili fin i të shkruarit, janë lulishte ndjenjash të shprehura: të dëshirueshme për t’u lexuar, hyjnore për t’u dëgjuar, thesare të pazëvendësueshme për nga vlera e dijeve dhe e të dhënave që përmbajnë; ato të frymëzojnë për t’u ulur e për të shndërruar në shkrime përshtypjet që të lindin. “Ky libër […] më përkujtoi mendimin e …Stendal: “Një libër i mirë është një ngjarje në jetën time”. Leximi i librit […] vërtet ishte jo vetëm një ngjarje në jetën time, por edhe një udhërrëfyes për artin e fjalës që do të ‘udhëtojë’ gjatë jo vetëm me mua (A. Z., f. 19)”.
Krijimtarinë e Anton Nikë Berishës, Ajete Zogaj e vështron edhe nga një kënd më vete, nga këndi i bukurisë dhe finesës artistike. Në kushtet kur te veprat e Anton Nikë Berishës shihet dukshëm madhështia natyrale e artit tonë gojor si shkëmbinj të ngritur mbi hone, Ajete Zogaj tek “të çarat” e këtyre shkëmbinjve sheh lulet që kanë mbirë pas shkrirjes së dëborës dhe niset për t’i mbledhur e për të bërë një tufë për lexuesin. Nuk i druhet lartësisë, sepse çdo majë mali e ka një shteg nëpër të cilin mund të arrish aty.
Le të shohim shkrimin “Rreth vëllimit “Roman vlerash të jashtëzakonshme poetike”. 52 punime të autorëve shqiptarë dhe të huaj për romanin “Gjin Bardhela i arbresh & Etja e gurëzuar” të Anton Nikë Berishës. Rreth këtij vëllimi autorja e librit shkruan: “Vëllimi ‘Roman vlerash të jashtëzakonshme’ i përgatitur nga Albana Alia dhe Labinot Berisha, është libër i veçantë dhe sigurisht edhe i jashtëzakonshëm. I veçantë, ngase përfshin 52 punime për një roman të letërsisë shqipe, dhe i jashtëzakonshëm për lexuesit e shumtë, jo vetëm shqiptarë por edhe të huaj për arsye se për të deri më tani janë shkruar e botuar rreth 30 punime në italisht.
Këtë veçanti, këtë vlerë të jashtëzakonshme poetike, me stilin e mëvetësishëm, me pasurinë gjuhësore, me koloritin e kujtesës historike, me valljet, doket, zakonet, ritet… e shumëçka tjetër, autori Anton Nikë Berisha e shtjellon romanin “Gjin Bardhela i arbresh& Etja e gurëzuar”, sikurse ‘fijet e pëlhurës së endur në vek’, duke e krijuar një vepër të mrekullueshme arti, të ‘skalitur’ bukur në artin e fjalës, mbase kryeveprën e tij!
Romani ‘Gjin Bardhela i arbresh& Etja e gurëzuar’ me të drejtë është vlerësuar si i jashtëzakonshëm. Të tillë atë e bëjnë një varg elementesh si mënyra e shtjellimit të tekstit, sistemi i veçantë dhe i pasur i të shprehurit si dhe gjuha poetike, që kanë nxitur lexime dhe rilexime të shumta nga studiues të ndryshëm, përkatësisht një shumësi interpretime dhe vlerësime” (f. 105).
Për të dëshmuar vlerën e veprave të Anton Nikë Bershës, sidomos të romanit “Gjin Bardhela i arbresh& Etja e gurëzuar”, Ajete Zogaj i sjell disa mendime të rëndësishme të autorëve të ndryshëm për këtë vepër: “Kasoruho shkruan: “Rrëfimi i Gjin Bardhelës është plot oht shpirti, është malli i përvëluar, është dhembje dhe kohë e ngrirë, është shpirti që zien, është shqiptim i shpresës përherë të gjallë. Shkurt është një shtegtim njerëzor jo i individit, por i breznive”; Domenico Corradini H. Broussard, në punimin e tij “Kënga e mallit në solo violinë” thotë se “Gjini është shtegtar i durueshëm, Odiesu i ri në kërkim të Itakës së vet dhe se […] Gjin – Anton Nikë, si një gdhendës i shkathët që prej dimrit të thatë nxjerr lulet dhe pjesët e larta ose rreth e përqark, rikujton me krenari legjendat, traditat dhe mitet nga Iliria e lashtë […] dhe se: “Tek ai është një kërkim gjuhësor që nuk e gjen te shkrimtarët e tjerë”; Dante Maffia vlerëson: “Me aftësi të veçantë, Anton Nikë Berisha ndërlidh në kontekstin e romanit, nga njëra anë, legjendat e përrallat, si pjesë e traditave të rrënjosura të ngulimeve arbëreshe e, nga ana tjetër, edhe tërësinë e paragjykimeve që shkallë – shkallë janë shndërruar në një mënyrë të ekzistimit e të perceptimit “të realitetit; Sergio Paolo Foresta-s e krahason romanin e Berishës me veprat e autorëve botërorë. “Në rrafshin letrar është një shtegtim homerik, virgjilian, dantesk, pushkian, sipas Edgar Lee Masters”.
“Ju shkruani hyjnisht” do t’i shkruajë Berishës shkrimtarja e shquar italiane, Nicla Morletti”; Bardhyl Matraxhiu shkruan: “Në romanin e Bardhelës gjithçka është bërë me kompetencë e shije”; Vinçenc Belmonte flet për frymën e poezisë së pastër (në roman – v. ime) ‘gjë që, në të vërtetë, e bën atë një poemë moderne mbi fatin e Arbrit e mbi tragjiken e ekzistencës njerëzore”; “Shpirti poetik i Anton Nikë Berishës nga këndi që shprehet, nuk mohon për të bërë të ditur se edukimi i shpirtit nëpërmjet së bukurës është punë e vështirë dhe e gjatë sa edhe vetë jeta” shkruan Giuseppse Napolitano etj. (Citimet e më sipërme janë marrë nga libri i Ajete Zogaj f. 101 e në vijim) dhe se përmbledhje a tyre në një shkrim[7], ngjason me mbledhjen e trëndafilave në parcela kohore dhe tokësore të ndryshme, krijimi me ‘to i një tufe të bukur dhe dhurimi i saj lexuesve të librit, duke i vënë ata (lexuesit) në mendime për veprat e këtij autori. Me citimin e mendimeve ajo bën bashkë-autorë të shkrimit të saj shkrimtarë dhe analistë të tjerë, duke dëshmuar kështu modestinë, mirësinë por edhe nivelin krijues e vizionar të saj.
V-Anton Nikë Berisha është poet, madje një poet i veçantë që e zgjedh fjalën e duhur, e “gdhend” dhe e “lëmon” atë me plot dashuri; edhe fjala ka nevojë për dashurinë e poetit, që të ketë shkëlqimin e duhur në vargje. “Anton Nikë Berisha i ngjanë atij skulptorit që dalë-ngadalë laton gurin për të nxjerrë figurën …dhe e nxjerr bukur, mahnitëse…ngase, arti i mirëfilltë synon t’i arrijë majat… me gjuhën e artit, me ‘gdhendjen’ e fjalës” thotë Ajete Zogaj (f. 32).
Me qenë se Ajete Zogaj “na ftoi” në fushën e skulpturës, në lidhje me dy veprat poetike “Prushi i bukurisë[8]” dhe “Sytë e heshtjes[9]” mund të paralelizojmë se: atë madhështi dhe hijeshi që Mikelanxhelo ka derdhur te Davidi, poeti ynë e ka derdhur te poema “Prushi i dashurisë”, ndërkohë që atë dritësim e përdëllim shenjtërie që skulptori derdhi te portreti i Shën Mërisë në kompleksin “Shën Mëria mban në prehër Krishtin e zbritur nga kryqi” që njihet edhe me emërtimin “Nëna” si dhe “Zbritja nga kryqi”, poeti e ka derdhur te libri poetik “Sytë e heshtjes” kushtuar Nënës Tereza. Prandaj mund të them se: Anton Nikë Berisha pikturon e gdhend përmes fjalës poetike.
VI-Stili letrar i Anton Nikë Berishës në prozë dhe në poezi, sa të ndryshëm duken aq janë të ngjashëm dhe të afërt, madje mund të themi se është i njëjti stil i derdhur në forma (skulpturore) të ndryshme. Këtë mund ta shohim më së miri te romanet “Gjin Bardhela i arbëresh & Etja e gurëzuar[10]”, “Bimorja[11]” dhe “Nëna e dritës”[12], të cilët për nga rrjedhshmëria e ligjëratës, nga pasuria dhe pastërtia e fjalës ngjasojnë me një muzikë, por: ndërsa “Gjin Bardhela …” ngjason me një simfoni, “Nëna e dritës” së bashku me “Sytë e heshtjes” ngjason me Hymne lavdërimi për hirin hyjnor, ndërkohë “Bimorja” tingëllon si një intermexo midis. Janë nga ato libra që, pasi i lexon, i thua vetes në lidhje me Anton Nikë Berishën: ”Ndihem me fat që e lexoj veprën e tij, ndihem i nderuar në miqësinë e tij”.
VII- Me librin e saj “Vepra me rëndësi të shumëfishtë” Ajete Zogaj ka bërë një punë të lavdërueshme e me nivel të lartë analize, duke paraqitur krijimtarinë e Anton Nikë Berishës si një krijimtari e rrafshit të epërm. Ndërkohë kontributi i tij merr një vlerë të shtuar në kohën tonë, kur “lumi” i rrëmbyer i botimeve mediokre “ka dalë nga shtrati” dhe ka “përmbytur” raftet e librarive dhe të bibliotekave, ku zënë dhe krijojnë myk nga mos leximi, duke krijuar, në këtë mënyrë një ambient mbytës edhe për librin cilësor.

Sarandë, gusht 2022
[1] Ajete Zogaj, Vepra me rëndësi të shumëfishtë. Mbi disa vepra të Anton Nikë Berishës. Botoi “Faik Konica”, Prishtinë 2021.
[2]Anton Nikë Berisha, Poetika e letërsisë për fëmijë. Botoi Universiteti i Gjakovës“ Fehmi Agani”, Gjakovë 2020.
[3] Anton Nikë Berisha, Vepra letrare e Martin Camajt. Studim. Botoi Sh. B. “Beqir Musliu” Gjilan 2020.
[4] Anton Nikë Berisha, Poetika e fjalëve të gurta. Qasje veprës letrare të Azem Shkrelit. Botoi Argeta – LMG, Tiranë 2010.
[5] Anton Nikë Berisha, Arshi Pipa krijues i mendimit të lirë. Letra, bisedë, poezi, kritikë. Botoi Sh. B. “Faik Konica”, Prishtinë 2018.
[6] Anton Nikë Berisha, Poezia si shtegtim i qenësishëm shpirtëror. Rreth poezisë së Daniele Giancane-s. & La poesia è un viaggio esistenziale. Della poesia di Daniele Giancane. Shtëpia botuese “Milosao” Sarandë 2020.
[7]Ajete Zogaj, vepra e cituar. Shkrimi “Romani Gjin Bardhela i Arbëreshs &Etja e gurëzuar” në 52 këndvështrime” f. 101.
[8]Anton Nikë Berisha, Prushi i bukurisë. Përsiatje poetike për artin e fjalës. Me parathënie të shkrimtarit italian Dante Maffia. Botimi i tretë i pandryshuar. Shtëpia botuese Beqir Musliu, Gjilan 2020.
[9]Anton Nikë Berisha, Sytë e heshtjes. Në Nëna Tereze në shtatë shpalime; Shpalimi i tretë: Ujëvarë drite në zemër & Sytë e heshtjes”. Botuan “Faik Konica” , Prishtinë, Kuvendi Françeskan Gjakovë 2019.
[10] Anton Nikë Berisha, Gjin Bardhela i arbresh & Etja e gurëzuar. “Faik Konica”, Prishtinë 2002.
[11] Anton Nikë Berisha, Bimorja. Roman. Botimi i dytë i përpunuar. “Faik Konica”, Prishtinë 2012.
[12] Anton Nikë Berisha, Nëna e dritës. Në Nëna Tereze në shtatë shpalime. Shpalimi i parë. Botuan “Faik Konica” & Kuvendi Françeskan Gjakovë, Prishtinë 2019.

About Post Author