Kam dashur të vij tek ti-Gerta Bandilli


Gerta Bandilli

Kam dashur të vij tek ti,

E mendova dhe dje,

Po hëna u duk sikur

Nuk e pëlqeu mendimin tim.

Nuk qenka e thënë të vij si hënë!

Po dhe si det nuk vij dot!

Në shkumë të bardha

Flatrat e mia të kaltra

Humbasin ngjyrë dhe arteriet

Me mure transparente

Tregojnë vrullshëm stuhitë e gjakut

Që unë dua t’i fsheh nga sytë e tu.

Nuk është e shkruar të vij si det!

Kam dashur dhe para një jave

Të vij tek ti

Po fustani im kishte një njollë

Që binte fiks mbi zemër,

Unë nuk doja që duke ardhur tek ti

Të ngjyroset i gjithi i kuq

E mendova dhe para një viti

Ardhjen tek ti

Po nuk më kujtohej pse e shtyva

Ndoshta ngaqë më the

Të mos ngutesha

Ti do të më prisje kurdoherë

Që të vija…

Si duket paskam frikë të vij tek ti!