Kam qarë…


/ZYBA HYSA/

Në më diç… sa shumë kam qarë,

Nga pesha e mallit për ç’kam dashuruar,

Nga keqkuptimet e fjalëve,

Nga pritja absurde e dikujt që ka shkuar,

Pa më thënë “Lamtumirë”

Nga pamundësia për të shkruar poezi,

Në vitet më të bukura të rinisë sime

Kur më dhanë pretencën, pa gjyq:

“Ke frymë moderniste në poezi”

Ku e dija Unë e mitura,

Ç’ishte modernistja!

Qaja vargun që vinte gjer në grykë,

E më duhej ta përcillja,

Për të mos marrë si dhuratë prangat,

Apo plumbin siç e morën ata burra,

Q’sot janë me kokë të prerë n’ujë mes qytetit

E mua më duket, sikur ende janë nën tortura…!

Kam qarë, kam qarë, kam qarë…

Pamundësitë që më pengonin të krijoja vetveten,

Sipas modelit me dorë të lirë,

Pa shabllonin e “NJERIUT TË RI KOMUNIST”

Jo, se kuptoja në thelb Komunizmin, o mik,

Kështu më ndillte gjaku im fisnik!!

Kam qarë për ato gra dhe burra,

Që u rrinin pranë “të dashurit” për të kapur një fjalë

Të thënë pa menduar,

E të dashurit spiuna shënonin mbi letër,

Tjetër për tjetër,

Se në atë botë, o i miri mik,

Mjafton të futeshe në rreth të kuq,

S’të shkiteshin, gjer të shpallnin “Armik”!

Kam qarë aq shumë,

Saqë Ti s’mund ta mendosh,

Kam qarë rininë time të virgjër,

Që ma përdhunuan rëndë,

Aqsa s’besova më të ngrihesha,

Të flisja, apo të ecja me këmbë…

E pse klithmat e mia çanin qiellin

Të lotonte e bënë edhe diellin,

Pranë s’më erdhi asnjeri,

Të gjithë më largoheshin sikur shihnin kolerën,

Duke mos e ditur se kolerën e kishin në tru,

Në fjalë, në veprime… në gji!!

Me forcën e padukëshme të qiellit,

E pse edhe atë e kishin e zëvendësuar,

Me djallin q’veten shpalli Perëndi,

Kam vazhduar…

Eh, sa kam qarë, kam qarë shumë,

Por më shumë kam qarë pa lotë, me shpirt,

Aqsa shpirti u bë për mendjen darë,

E burgosi… për të mos u vrarë!

Por lotët e mi s’kanë të pushuar,

“Ajo botë”… është edhe sot,

Po ata njerës ulur në kolltuqe,

Fjalët kanë veshur me lajle e lule,

Por asgjë s’ka ndryshuar,

Përbindëshi mund të vishet me kostume,

Por s’mund të ndryshojë huqe!

Qaj, qaj… aqsa shpirti bie n’agoni,

Dhe mendja ime shpwrthen kornizat e flet…

Kur ende shoh bashkekombesit e mi,

Tek perulen “asaj bote” ardhur n’kete bote,

E veshur me vello demokracie,

Per te mbuluar guvat dhe gungat e shemtuara,

Te vampirit shekullor,

Q’ushqehet me gjak ARBNOR!

TIRANË, MË 13 TETOR 2019

Lule dy poeteve te Librazhdit, te cilet u pushkatuan nga regjimi komunist dhe fill pas nje viti me ndaluan te shkruaj poezi…

About Post Author