Bashkë me globin rrotullohet njerëzimi,
Dijet, kulturat, idetë e dashuritë,
Mrekullitë e botës, Lindja-Perëndimi,
Tinzare me to ecin dhe ligësitë.
Ligësia rënkim i shpirtit të drithëruar,
Një re ngarkuar me rrufe që vret dashuri,
Gjumin fëmijëve n’krah pëllumbash fluturuar,
Ylbere pranverash që ndrisin madhështi.
Një gurrë me lot, me fishkëllima stuhishë,
Burimi i Ferrit që DANTE e krijoi,
Një emër pa atdhe, duhi pabesishë,
Me Adamin e Evën mëkatet filloi.
Ligësia një hije eklipsi e dritës dhe lirisë,
Me shkulme flakësh e tymi mbuluar,
Djeg Trojën e Helenës simbol i dashurisë,
Aushvicin e dhembjes, të vrarë e të helmuar.
Me kollanin ngjeshur në prita mortore,
Strukur nëpër avione n’fluturim maskuar
Hidhet kamikaze në kullat qiellore,
Këput degë pranvere me lule zbukuruar.
Galaktika reshjesh të binin pa ndarë,
S’do lagej më shumë Serbrenicë e masakruar,
Se lotët e saj që derdhi duke qarë
Me mijëra viktima nga terri mbuluar.
Një dhembje e ofshamë e tokës që bërtet
Si vala e nxehtë e Akreonit të Ferrit,
Tinzare nëndheshëm si kobra rrëshqet
Sulmon e kafshon me dhëmbët e vrerit.
Jetën Desdemonës me intriga ia shove,
Ndeze hasmërinë me Montagë e Kapuletë,
Ti skile e vjetër me helm zemrat ua helmove
Diellit Romeo dhe Hënës Zhulietē.
Me harqe tendosur Parisin sulmove,
Drita e kulturës magjike të verbonte,
Si bisha e shpellës flakët lëshove
Mbi shkronjat e arta, mbi jetën që këndonte.
Nën qiellin flakë Aleppon shkrumove,
Mbi djepe ëndrrash me bomba vërsulesh,
Mbush zemrat me plumba nënat murove,
Fëmijët në lulëkuqe në copa flamuresh.
Këmbanë alarmi mbetesh ti ligësi,
Një predhë errësire rreth globit vërtitesh,
Gërmon e shpon ai shpirti yt i zi
Si krimbi në gur prej shekujsh e vitesh.
Ti vret e pret në Hemisferat e Tokës,
Derdh shi e breshër e shpirti të gëzohet,
S’do mundesh kurr’ ta ndalësh Globin e Botës,
Ai në përjetësi gjithmonë do rrotullohet.
