Kapriço vere në Dhërmi-Vaso Papaj


U sulen retë, tabore lufte

E zbritën turravrap.

Me bajoneta zhveshur krejt,

Vetëtinin nëpër natë.

E kuturisën përmbi tokë

Me shpata farfuritëse.

Si djersë e gjak, shiu me sqotë

Përplasej mbi zhurishte.

Dhe zemra e tokës alivanosur

Nga dhimbja e goditjes.

Po bredha dhe ullinj plagosur,

S’i tuteshin përpëlitjes.

Në dhomë ca kërkëllima dere

Dhe një shqetësim i shurdhët.

Godisnin xhamat vrunduj ere,

Si t’kishin humbur udhët.

E unë trimoshi i kalamendur,

Që terri veç më fshihte,

Dëfreja si spektator i çmendur,

Se zemra më regëtinte.

Por qiell e tokë si gladiatorët,

Erdh fundi u dorëzuan.

E mbajtën frymë dhe spektatorët,

Nga dhimbja u qetësuan.

Mëngjesi erdhi i kulluar,

Nuk dukej më gjurmë dhune.

Në dhomë vërshoi dritë e munguar,

Mbi det një valle shkume.

E se nga vanë shkulmet e erës,

Tis mjegulle nuk dukej.

Një shurdhërimë ujrash të verës,

Po toka s’tundej, s’tundej.

E befas nga një strehë e gjumit,

Një cicërimë zogjsh niste.

U shterrën të mbramet pika të lumit,

Që faqeve të thikëta shkiste.

Ja, më në fund, një qielli i hapur…

Përndritja i ndërroi faqe.

Dhe lumi i kohës, qoftë i kapur,

Na e la shpirtin në paqe.