Kasam Shaqirvela-FJALËT TONA


Kasam Shaqirvela

FJALËT TONA

Fjalën kur ta përdorni
ju lutem bëni kujdes
se ajo të ngjallë
por edhe të vdesë.

Fjala të lëvdon
fjala të shanë
kur do të burgosë
kur do ta hap kalanë.

Fjala të zbardh
fjala të nxinë
fjala të ngroh
fjala të mbërdhinë
tjerët e vjelin rrushin
ti ngelesh me hardhinë.

Fjala shpreh gëzimin
fjala shpreh zemërim
gjithmonë për shkakun,
e para për trimin
e dyta për frikacakun.

Lum ai që fjalën e mba’
mjerë ai që fjalën e ha.

Fjala është ajo
që gjithnjë krijon
por dhe shumë herë
gjithçka shkatërron
atëherë kur palëve
arsyeja u mungon.

Fjala e mirë
ngre kalanë
fjala e keqe
bën hatanë.

Të gjithë sa jemi
mjafton të themi
nga një fjalë të mirë
të keqen zuzare
do ta lidhnim fort,
nyjë me zinxhirë.

About Post Author