Kasam Shaqirvela:Asht që mbin


Kasam Shaqirvela

Asht që mbin

Shum’ pseudo-patriotë e lajkatarë

sot, bërlyken nëpër portrete

gazetash e mediash elektronike.

Ato kanë gjak të ngjizur, që

mbledh miza dhe krimba, i ushqen

për dasmën e madhe që vjen.

Tjetër është ai që ka gjakun në vlim.

Gjaku i tij filtrohet e vetëpastrohet,

nuk ngjizet dot por kullohet.

I ushqen damarët deri në rrënjët

e Lisit të Madh dhe të Vjetër,

të vjetër, të moçëm, bile

të Lashtë e Stërlashtë.

Kjo është tokë e djegur përbrenda,

Por, përsëri në thellësinë e vet

mban mundimshëm një asht.

Dhe, asesi ta tretë këtë asht ,

ai Asht përsëri do të mbijë

edhe gjenin do ta ripërtërijë.

Tamam si një dritë në errësirë,

është një shpresë në të gdhirë

dhe që buron nga shpirti i lirë.

Jeton e gjallëron kjo shpresë

brez pas brezi në kujtesë

dhe kurrën e kurrës s’do vdesë.

About Post Author