Kasam Shaqirvela:Dhe loti e ka rendin e vet


Poezi nga Kasam Shaqirvela
Dhe loti e ka rendin e vet
Çdo pikë e lotit tënd të nxehtë valë
Që bie vrullshëm mbi rasë varri
Do ta kishte kuptimin e vet
Vetëm kur të ndodhte për së gjalli.
E tani vallë ç’kuptim na paska
Qarja e yte me gjithë këta lot…
Sikur nga dënesa dhe njeriu të plaska
E gjitha kjo, për atë në qiell, do ishte kot.
Njeriu ka nevojë për respekt dhe dashuri
Madje edhe për gëzime dhe qarje me lot
Përderisa është gjallë, ta shijojë atë mirësi
A në amshim do t’i mjaftonte kujtimi yt pa lot.
Sa herë që më thoje:- unë ty shumë të dua
Në mua, vetvetiu, lindte një dyshim i zi…
E pyesja veten përse ti, këtë gjë, shpesh ma thua
Veprimet, e jo fjalët, janë e vërteta në dashuri.
Dashurinë e përcakton fryma e hyjnores
Me ndjenjën e çiltër, njësi si karati…
Kur zemrat e bëjnë balancimin e peshores
Aty ku si filigran matet dhe dukati..!

About Post Author