Kasam Shaqirvela:Do të më kërkosh


Kasam Shaqirvela:do të më kërkosh

Një ditë prej ditësh…

edhe unë, kur të kem shkuar

e s’do të kthehem më aty

ku e filluam bashkë ne të dy

te kolltuku pranë librares

ku më ka mbetur veç hija ime

dhe ngjyrëylberi i kollares

kjo s’do të thotë se nuk të desha

apo dhe se tash më nuk të dua

por unë ika pa dashjen time

…në të lumen përjetësi…

ku yjet bëjnë dritë gjithnjë

tani s’kthehem më përsëri

por, këtu, një ditë prej ditësh

do të vish edhe ti pas meje

sepse shpesh, a s’më thoshe:

-unë ty fort të dua…

dhe s’ka forcë…

që më ndanë prej teje…

andaj këtu ti bashkë me mua

kopshtit të madh me lule të bukura

do të shëtitemi si bur e grua.

*

Do më kërkosh gjithandej

por më nuk do më kesh…

veç librave, albumeve dhe

fotove vënë në mur kornizë

aty brenda do më gjesh

në role artisti gjithfarësh

herë buzagaz e herë me të shara

ngjyrash të forta dhe të lame

e po shkove dhe më përtej

mbase dhe ndonjëherë…

do të më gjesh edhe në të qara

fort të brishta prej beqarësh

të një moshe aromë-pranverë.

*

Dhe sa herë bëja të të godas

se, përqafimet s’po i rrëfej

nga ndjesia në mllefim…

zemra më rrehte me nxitim

por,… dhe dhimbja më rritej

këmba e krahu më pritej

donte zemra të më plasë

eh, si mundem të të godas

diçka më thonte bëj durim

se pendesa nuk vlen më pas

shpirti më mbetej i harlisur

pas shpirtit tënd i vardisur

me buzëqeshje e përqafime…

kthehesha prapë ku kisha nisur

aty ngrohtë në folenë time

për ne të dy fort e dëshiruar

tek ajo vello dasme e uruar

në arkë nusërie e dhuruar

nga e ytja dorë-arta e stolisur

për shpirtin tim e qëndisur!

About Post Author