NË KUJTIM TË 17 JANARIT TË ZI, TË VRASJES MAKABRE TË TRE MARTIRËVE TË KOMBIT
POEZI NGA KASAM SHAQIRVELA
FLAKA E YJEVE
(JUSUFIT, KADRIUT DHE BARDHOSHIT)
Flaka është ndezur kaherë
Në janar bën të ftohtë, acar
Palca të ngrin prej shikimeve
Të akullta e të njelmëta zeher.
Ashti im mbin edhe në janar
Edhe pse dallëndyshe s’ka tani
Lulebora akoma nuk ka çelë
Bilbili e kërkon që t’i marrë erë.
Veç se korbat krrokasin nëpër çati
Kërkojnë palcën e ashtit për ta sqepitur
Thuan që ata e parandjejnë kohën
Sikurse njerëzit me shpirt të shitur.
Por, yjet e bardhë flakë lëshojnë
Atëherë kur bien për tu ngritur
N’panteonin e kombit të vet pushojnë
Në qiellin e tij të shndritur.
Yjet nuk vdesin porse lindin !
E kur lindin nuk shuhen më kurrë
Ata nuk vdesin edhe kur vriten
Por bëhen emblemë në flamur.
Dalëndyshet arrijnë më vonë
Në pranverë, kur s’ka më acar?!
Dhe Kënga e Bilbilit bëhet jehonë
Himn në panteonin kombëtar!!!
***
TEHUT TË JANARËVE TË ZINJ
Dhe janarët e zez sa herë që arritën
shpërgajt e gjakut acarin sfiduan
me qindra ranë, me mijëra u ngritën
jeta dhe vdekja në çast u ndërruan!
Ata historinë e shkruan me gjak
e vulosën madje me jetën e tyre
qiellit të Atdheut iu shtuan yjet
nga shkëlqimi i tyre u ndez flakadan
flaka e janarit ngrohi shpirtin kallkan
kur Liria sërish i kthehet Atdheut
atëherë përmbushet amaneti për Vatan!
