Kasam Shaqirvela:Këndvështrime kulturore në vazhdën historike


KËNDVËSHTRIME KULTURORE NË VAZHDËN HISTORIKE

Shkëputje nga libri me titull: “ESE të humbura

*

Shkruan Kasam Shaqirvela

KRIPTO-KATOLICIZMI

(ikja nga realiteti i hidhur apo jeta fetare e dyfishtë)

Historia e popullit shqiptar është e mbushur përplot me ngjarje të cilat herë i ngjanin një “Dimri të Keq” e herë një “Moti të Madh”, anekënd trojeve shqiptare ndodhën ngjarje që lanë vragë të pashlyeshme në jetën e vetë popullit shqiptar. Jeta vazhdoi pa ndalur edhe pas rrebesheve e furtunave që i solli koha e të cilat i përplaseshin shqiptarit te dera dhe ia zënin pragun e shtëpisë herë si një ortek bore e herë si një lukuni e etur për gjak…

Shumë herë, ndryshimet që ia imponoi koha, populli i pranoi ndoshta dhe me vetëdije por pati raste të shumta kur i pranoi edhe pa dashjen e vet; qoftë me dhunë i detyruar e i kushtëzuar si një humbës që pranon pa e lexuar ta nënshkruajë kontratën me kushtet e pushtuesit, apo edhe me rryshfet për një pasje ekonomike më të mirë për atë dhe familjen e tij, që për kohën nga disa u pa si tradhëti kombëtare kurse prej disa të tjerëve si shkathtësi për të mbijetuar. Ja se si e përshkruan, autori Albert Ramajnë shkrimin e tij publicistik,”Laramanizmi apo kriptokrishtenizmi tek shqiptarët”, të publikuar në portalin “STANDARD” …citoj, “Me ardhjen e osmanlinjve, në Ballkan ndryshuan shumë gjëra, ata sollën edhe fenë e tyre – Islamin – që për popujt e Ballkanit ishte diçka krejt tjetër. Pra, përhapja e fesë së pushtuesve në vendet ballkanike me kohë mori hov të madh e sidomos tek shqiptarët. Ndonjëherë islamizmi pranohej sipërfaqësisht nga kryefamiljari e më vonë edhe nga meshkujt e tjerë të rritur të familjes (por jo nga femrat – gratë), të cilët para pushtetit osman do të njihen me emra të rinj myslimanë për t’u paraqitur para pushtuesit si myslimanë për shkaqe tatimore, kurse në rrethet familjare fshehurazi ishin krejtësisht të krishterë sikur të gjithë të krishterët e tjerë. Vetëm haptas “të islamizuarit” nuk shkonin në kishë, por nganjëherë shkonin në xhami apo nuk merrnin sakramentet publikisht, ndërsa gjatë natës meshtari detyrohej t`i vizitonte, pagëzonte dhe të kryente çdo shërbesë fetare që ata kërkonin. Ishin të detyruar që sipërfaqësisht të pranonin religjionin e ri, të merrnin emra turq, pra botës përreth i paraqiteshin si myslimanë, sidomos kryefamiljari, kurse në brendi ishin të krishterë. Pra, jeta e tyre fetare ishte e dyfishtë, nga frika haptas paraqiteshin se janë myslimanë, kurse fshehtas mbanin fenë krishterë dhe shkonin në kishë, sidomos nëpër fshatra apo në ato vende ku gjendeshin larg qendrave administrative turke. Kisha katolike në fillim nuk kishte ndërmarrë asgjë kundër kriptokrishterëve, mbase edhe i lejonte edhe më tej që të merrnin sakramente.”

Si çdo pushtim i tokave shqiptare, edhe ai ottoman nuk qe më ndryshe se pushtimet paraprake si: ai romak, bizantin, serb i Dushanit,… edhe ky ishte i rëndë dhe me pasoja për arbërorët në shumë drejtime…Edhe si periudhë qe e vështirë nga vetë koha e “gjuetisë së shtrigave” që zbatonte regjimi pushtues otoman mbi popullatën shqiptare që fillimisht ishte e krishterë e mëpastaj filloi të konvertohet në fenë myslimane.

Populli shqiptar i bënte qëndresë sulltanatit edhe pse nuk e kishte një “Vëlla të Madh”, t’i dilte në krah e të kollitej fort sa herë që, “bajlozi i zi” nga Azia, ta tepronte zullumin mbi zogun e arbrit. Zogu i Shqipes i cili shpeshherë i ngelur i vetëm në stuhitë e “Dimrit të Acartë” madje edhe murlanet e rrahën si shpesh,.. në brinjë e në shpinë, me pasoja të papara që e detyruan, një numër tejet të madh të tyre, ta ndërrojnë besimin fetar dhe të kalojnë nga ai i krishterë qoftë i ritit katolik(grq. katholu– e përgjithshme)[1] me lutjet e tyre që i bënin në të ulur me parimin fetar universal të karakterit papnor apo ai i ritit ortodoks(gr. orqoz- i drejtë + doxa-mësim)[2] me lutjet e tyre që i bënin në këmbë me parimin fetar të ndarë në kisha kombëtare(autoqefale) të udhëhequr nga kryepeshkopi… Një pjesë e këtyre kaloi në fenë muhamedane dhe u bënë mysliman qoftë ai i ritit sunit apo ai i ritit shiit.

Kurse një numër i shqiptarëve të krishterë ndërruan vetëm emrat apo mbiemrat në dukje të jashtme ndërsa në brendi mbetën po ata që ishin më përpara, mbetën me besimin fetar të krishterë…Kjo periudhë u quajt periudha e kripto-krishterizmit(..në kohën romake, korridori nëntokësor ku mblidheshin të krishterët e parë për të bërë shërbim adhurimi) me theks të posaçëm në kripto-katolicizëm(grq. krypto-i fshehur, i mbuluar)[3]; pra ky ishte katolicizmi i fshehur e që u manifestua me kombinim emrash e mbiemrash të të dy konfesioneve sidomos të emrave të arealit fetar njëri katolik e tjetri mysliman ndonëse gjuha, tradita dhe bindja e përcaktimit kombëtar ishin dhe mbetën shqiptare. Për shembull po parafrazoj disa emra e mbiemra që u përcollën deri më sot dhe mbetën si emra individësh siç janë: Jul Neshati, Paulin Selimi, etj.,…apo dhe emra familjarësh si Shaqirvela, Kolgeci, Rexhvelaj etj.

Por çka ndodhi me shqiptarët që tashmë kishin më shumë se katër konfesione(lat. confessio-besim)[4]? Pra besimi apo feja që e zbatonin shqiptarët në jetën e përditshme nuk i pengoi të bashkëjetojnë si vllezër të gjakut e gjuhës, si një komb i vetëm, i pandarë, madje duke lidhur martesa mes vete, ndërmjet shqiptarëve me besime të ndryshme(katolikë, ortodoksë, myslimanë sunitë, myslimanë bektashinj, pa haruar këtu edhe format më të reja të krishterizmit si protestanë etj)..e gjitha kjo ishte dhe është dëshmia më e fortë për vetë faktin se, shqiptarët, vertikalen nuk e kishin humbur sepse atë e kishin të mbështetur në parimin kombëtar e gjuhësor unik, shqiptarizmi ishte, është dhe do të jetë elementi lidhës i gjakut e gjuhës për tërë kombin shqiptar.

Këtë element lidhës të Trungut Komb, këtë limfë të Trupit Shqipe, do ta përjetësojnë deri në hymnizim duke e gdhendur thellë në vetëdijen kolektive kombëtare shqiptare si vlerë njerëzore; individuale, familjare e kolektive dhe jo vetëm,…një pleadë e rilindasve tonë ,..njëri ndër ta, patrioti i shquar shqiptar, Pashko Vasa(alias Vaso pashë Shkodrani) në poemën e tij “O MOJ SHQYPNI” ,…mes të tjerave me vargjet epokale që mbeten monumentale, ai thotë:

“Coniu, shqyptarë, prej gjumit çoniu,
Të gjithë si vllazën n’nji besë shtërngoniu,
E mos shikoni kisha e xhamia:
Feja e shqyptarit asht shqyptaria!”

Apo dhe dijetari Sami Frashëri me thënien e tij epokale që mbetet aktuale edhe sot:

A jemi shqiptarë? Besa, Feja, Kujdesa, Dëshira jonë, Mendimi ynë të jenë për Shqipërinë e për Shqipëtarinë.

Ose dhe poeti Ndre Mjeda, te poezia “GJUHA SHQYPE”, me vargjet epokale, gjithmonë aktuale e që rrojnë sa malet shqiptare,…

“Geg’ e tosk’, malsi, jallia
jan’ nji komb, m’u da, s’duron;
fund e maj’ nji a Shqipnia
e nji gjuh’ t’gjith’ na bashkon.”

*

Pra shqiptarizmi me gjuhën, historinë dhe kulturën e vet nuk dëmton dhe nuk rrezikon asnjë fe, asnjë besim, asnjë gjuhë, asnjë komb tjetër që ndodhet përreth tij dhe jo vetëm,… ai veçse pasuron ata duke e mbrojtur dhe forcuar kodin e gjenit shqiptar nga zhbërja e tij prej “termitëve të kohës së pakohë”. Përkundrazi janë të tjerët nga jashtë ata që përmes mashave të tyre brenda Sinorit të Arbrit, si duar të zgjatura me doreza ngjyrash fetare, mundohen fillimisht ta bindin në gënjeshtrat e tyre pastaj ta asimilojnë, duke e përçarë atë sipas maksimës latine “Divido et impera”(përçaj e sundo) perms kasnecëve vendorë e pastaj ta tjetërsojnë deri në zhbërje totale kombin e pathyeshëm historik shqiptar duke ia ndryshuar historinë, anatemuar heronjtë, zhvleftësuar e neguar gjuhën, zëvendësuar traditën, mbarsur apo shartuar folklorin, përdhosur etnografinë si dhe zëvendësuar veshjen e përditshme; thejsht duke e detyruar të sillet e të rrojë sipas traditave të huaja dhe jo sipas traditave të veta stërgjishore autoktone mijëravjeçare..!

[1] Klajić Bratoljub, Veliki rječnik stranih riječi i izraza, Zora, Zagreb, 1972

[2] Ndreca Mikel, Fjalor fjalësh e shprehjesh të huaja, Rilindja, Prishtinë, 1980

[3] Klajić Bratoljub, Veliki rječnik stranih riječi i izraza, Zora, Zagreb, 1972

[4] Ndreca Mikel, Fjalor fjalësh e shprehjesh të huaja, Rilindja, Prishtinë, 1980