Kasam Shaqirvela:Minierave…


Nga© Kasam Shaqirvela

*

Minierave…

Qe besa, një kohë fort të gjatë

ashtu sikurse një minator

minierave jetësore, thellë në tokë

ua kam vënë timin kraharor.

Labirinteve e tuneleve të jetës

vdekjen mbajtur si një qafore

trastë mbi shpinë normat e vetes

hallet fëmijërorçe të kapnin për dore.

Nuk reshta së gërmuari xehe

jo përherë nxora metal fisnik

por kurrë vetes nuk i lejova dehje

realitetit dhe vertikales i ndejta besnik.

Gërmova sa e sa male dhe kodra

por xehe rrëmova jo dhe shumë

u druajta se mos bëheshin lodra

dhe mëpastaj të hidheshin në lumë.

Ato që mbetën dhe u sistemuan

ndër biblioteka tani do të flenë

të paktën për ata që leximin e duan

sepse, nuk ka më kush i blenë…!?

About Post Author