Kasam Shaqirvela:Për një arsye të thjeshtë


 Kasam Shaqirvela:Për një arsye të thjeshtë

Për një arsye të thjeshtë

(Ese që vjen si përsiatje)

*

Para do ditësh, për habinë time pozitive, në kutinë e mesanxherit të profilit tim në Fb më erdhi një video- postim nga një shok, i imi, i letrave, bile dhe koleg i Shoqatës Letrare ku ishim të angazhuar ne të dy, më parë, madje si themeluse të saj, unë si kyeter Kuvendi, ai si nënkryetar i Shoqatës në fjalë… Nejse,.. tani t’i kthehemi kësaj videoje e cila bënte fjalë për një panair libri të cilit sapo i ishte bërë hapja solemne, e ku tjetër veçse, në qytetin e dy universiteteve, aty pranë Kalasë famëplote të Rexhep e Abduraman Pashës, të cilët i thanë jo dhënies së nizamëve shqiptarë për ushtrinë otomane. Qytetit rrënzë Sharrit Plak, në freskinë e Shkumbinit-shkumëbardhë, Artatit ujë-artë që i binte për mes Oeneumit të Ilirisë së Epërme, të fisit të Penastëve, mbase edhe emri i tij “Pena” që sot e përdorin vetëm sllavët e jugut dhe të huajt e tjerë e ka etimologjinë e gjuhës ilire-shqipe, që shkon akoma më thellë…por, atë, do ta shpjegojmë në ndonjë shkrim tjetër të natyrës së gjuhësisë-etimologjisë…dhe në konstelacion ndoshta tjetërfare. Në këtë panair unë nuk merrja pjesë si më përpara..! Kjo hapje solemne ashtu si u pa në këtë video dhe siç e theksoi, madje vetë, një shkrimtare pjesëmarrëse e hapjes solemne të Pnairit të Librit,.. e nderuara, L.K., e cila tha se ishte për keqardhje; pa adhuruesit e librit, pa profesorët e arsimtarët e gjuhë-letërsisë, pa studentët e zellshëm të dy universiteteve, pa nxënësit e pesë shkollave të mesme,.. pa krijuesit e rinj, ardhmërinë e kombit…etj.!?

Përse them unë, për habinë time…!? Them për arsyen e thjeshtë sepse ndonjëherë shokët e tu, kujtohen për ty për disa ngjarje e gjëra që s’lidhen drejtpërdrejt me ty dhe nuk kujtohen madje për ty dhe ngjarjet që të rrethojnë apo lidhen drejpërsëdrejti me ty?! Si për shembull, të të urojnë, ta zëmë për ditëlindjen tënde, apo për ndonjë shkrim pak më pikanto(djegës), pse jo dhe për ndonjë certifikatë e suksesit tënd që ti e ke marrë respektivisht të është ndarë nga ndonjë klub shkrimtarësh apo ndonjë shoqatë për kulturë, ose të paktën për publikimin e ndonjë shkrimi tënd nga ndonjë revistë prestigjioze… etj,..etj, dhe të mos them më për ndonjë botim libri ose disa sosh për çka, atyre, u lidhet nyjë në fyt fjala..!?

Edhe unë, për korrektësinë time në korrespondencë, i përgjigjem në mënyrë modeste dhe kolegiale ashtu si bëj përherë edhe me të tjerët që edhe mund të mos i kem miq. Dhe ja, po e jap këtu më poshtë, si vijon:

-E përshëndes nismën tuaj fisnike, për aq sa unë pashë në këtë video-postim të shkëlqyeshëm, sinqerisht, me ndjenjën time prej krijuesi letrar, i nderuari, shoku im, dërgues i kësaj videoje, them se, kjo gjë, i duhet qytetit … dhe jo vetëm! Se, sa për të munguar, po se po, këtij qyteti i mungojnë shumë gjëra, megjithatë, me këtë, sadopak, ta harrojë tmerrin nga përflakjet makabre të njerëzve fatgjorë, ndonëse të pafajshëm, dhe, këto tortura që s’kanë të sosur e prapëseprapë mbeten pa epilogun e vërtetë të vetë njgjarjes, …edhe atë, duke e hedhur si fishekzjarre vetëm një deklarim të zymtë, tamam si kopili i lënë para dere në formën hajdutçe, siç i thuan një fjale,… “të të them sa s’më ke thënë” ..?!

Megjithatë duhet t’i kthehem temës që e nisa më lart dhe që si shkas për të(casus belli) ishte pikërisht kjo video, ndërkaq, ti po më pyet për mungesën time, po, ke të drejtë se, shkaku i vërtetë i largimit tim, për një kohë jo dhe të shkurtër, nga publiku dhe nga ngjarjet(eventet) me karakter librar dhe letrar,… fle në faktin e pamohueshëm të dëshirës sime për t’i përfunduar librat e mi të filluar qysh më herët e që tani pas pensionimit tim m’u krijua mundësia e tillë në kuptimin e kohës por,…ana tjetër e medaljonit, sa për të qenë i sinqertë ndaj shpirtit tim si dhe ndaj publikut të mrekullueshëm dhe artdashës që më ndjek në leximin e shkrimeve të mia, në mënyrë të vazhdueshme, me format e librit të shtypur por dhe në formë digjitale në portalet e revistat elektronike ku unë botoj, këtu e njëzet vjet,…më duhet ta pranojë se kjo shkëputje e përkohëshme nga paraqitja e ime publike, “larg rrëmujës e rrëmetit”…. më dha shtytjen që të përfundoja gërmimin e gurëve për ndërtimin e kullës sime letraro-shkencore, të cilës themelet ia kisha hapur qysh para dyzet e ca viteve… Meqë pretendoja, thënë kushtimisht, për një numër të konsiderueshëm por jo dhe numër treshifror aq sa janë bërë sot… e të cilët për këto vite, erdhën si fruta mundi e djerse, pa pushim trupor e relaksim mendor, pa ndihmë financiare as nga individë adhurues librash dhe as nga institucione shtetërore të kulturës në kërkim madje, i vetëm, si një asket, endur ndër shtatë palë bjeshkë e i rrëmova nga shtatë palë shkrepa duke i thyer me rrahjet e çekanit të zemrës sime të lënduar fort nga shoqëria dhe duke i çarë me daltën e penës së shpirtiti tim të helmuar mjaft po prej asaj shoqërie të mbushur përplot me marifete.

Derisa i grumbullova këto elemente lidhëse për ta ndërtuar kullën time ku do të më prehet tani trupi e shpirti im e më pastaj kujtimi i veprës sime modeste…, vepër e njeriut të dashuruar në fjalën e shkruar por, përherë, peng i asaj të formës origjinale dhe të pavarur…, pra të fjalës shqipe që vjen nga mendimi i lirë! Megjithëse tani, këta libra, më rrinë të paluar si drurët e thatë… që ruhen për “dimrat e mëdhenj” përplot me acar”, mendoj që sadopak do të ma ngrohim më shumë shpirtin sesa trupin..?! Dhe kjo, ana tjetër e medaljonit, mba të vulosur faktin se, shpeshherë, unë mbeta i zhgënjyer nga disa kalemxhinj të epur për piedestal por, mjeranë, fort të shqepur në karakterin e tyre me arna, sepse jo vetëm që nuk ma shtrinë dorën e bashkëpunimit dhe pse ishin të zellshëm në vënien e ndërkëmbëzave e bërrylave hajnisht, në format më të ulëta të mundshme, “alla kleçka”, porse më e rënda ishte ajo se, ata, fare pa pedigre ndërgjegjije, m’i treguan edhe dhëmbët e tyre të vjamosur…, që i mbanin të gatshëm për kafshime egërsirash…!?

Nuk mund të quhet e qarë apo ankim nëse, ti, tregon për atë se si nuk të ndihmon dikush në punët e tua dhe e nihilon kontributin tënd publik,.. ashtu sikurse që nuk mund të quhet lavdërim apo mburje nëse ti tregon për punën tënde dhe kontributin tënd të dhënë publikisht. Sepse e gjitha kjo është pasqyrim i realitetit… sido që të jetë ai! Nëse realiteti është i ëmbël, atëherë ai do të kapërdihet me kënaqësi vetvetiu, por nëse realiteti është i hidhur atëherë, atë, ti duhet ta kapërdish me ndihmën e forcës së vertikales sate..!

Zatën, njeriun me vertikale, i cili mundohet të mbahet për boshtin kauzal që i thuan ,“shqiptarizëm”, dhe për arsyen tjetër se ai nuk mund të përpunohet si prodhim manifakture,…nuk e duan, dhe për atë arsye nuk e përkrahin aspak, as “sherifët lokalë”, meqë nuk ua mba ison e këndimit të tyre banal,…nuk të përkrahin as instucionet e kultures sepse atje përzihen “shefat partiakë” të cilëve ti nuk ua kruan shpinën e as nuk ua lustron këpucët e përlloçura por, dihet tashma qartë se të drejtin dhe atdhetarin e vërtetë nuk e përkrahin as ata që shiten si “patriotë” sepse janë “patriot me paterica”, dhe se t’i nuk ke kohë të merresh me meremetim pataricash sepse para vetes ke çështje më madhore që kërkojnë përkushtimin tënd për ta dhënë ndihmesën tënde, sado të vogël por kuptimplote, në plotësimin e atij Mozaiku të Madh..!

Pra them që: “Atyre që një herë ua kam pirë çorbën, shija e saj e hidhur nuk më lë për t’i kujtuar dhe as për t’i takuar më sepse ma trazon vrerin”..!

Andaj ty, shoku im, H.B. si dhe disa të tjerëve fort të paktë, ju uroj, para së gjithash, shëndet të mirë, në këtë kohë kovidi, pastaj edhe muzë të mbarë për krijimtari të suksesshme…. mbase do të vijë dhe koha e të takohemi bashkë përsëri për t’i evokuar kujtimet tona e për t’i tjerrur mendimet e holla nga të cilat mund të kemi dobi të gjithë ne individualisht, shoqnia në përgjithësi por, pse jo, dhe kultura e letersia jonë …dhe jo vetëm..!

*

*

Me konsideratë të thellë!

i juaji, Kasam VELA

(njeri i letrave të paporositura, asket i

fjalës së lirë, farkëtues i mendimit filozofik…)

About Post Author