
nga Kasam Shaqirvela
poezi për babain
Atdheu mba emrin tënd
O Ati im!
Familja mbështetet në ty
O baba!
Fëmija mburet me prindin e vet
E ka si shtytës që s’e lë të shket
Si për mençuri, si për bujari
Logu i burrave kërkon burrëri.
Babë, ky emër i shenjtë!
Ky emër me kod hyjnor
Kohët e pakohë i përballon
Jeta i kushton shtrenjtë
Tufanit të zi i vë kraharor
Për familjen kështjellë
Nga stuhitë e egra e mbron.
Ah,zgalem deti je ti baba!
Qiri e ombrellë je për mua
S’e kam dert për furtunë e hata
Oh, sa kam afsh, sa fort të dua!
Çerdhen familjare ti e ngroh
Bashkë me nënën trimëreshë
Shtëpinë time unë mirë e njoh
Buzëqeshja e jote mburojë reshë.
Fjala jote peshojë në kandar
Zemra yte rreh për ne pandalur
Burrëria jote s’peshohet me ar
Gjakun dejve gjithnjë ua mba kallur!
Sot edhe unë jam bërë baba
Ku ta di, mbase dhe gjysh…
Udhës tënde s’më zë asnjë hata
Fjala yte, -“o bir”, gjithmonë më grish.