Kasam Shaqirvela:Shkrimtari dhe roli i tij në shoqëri


Shkruan Kasam SHAQIRVELA

SHKRIMTARI DHE ROLI I TIJ NË SHOQËRI

…Veçanërisht shkrimtari, në çdo etapë historike si dhe në çdo regjim shtetëror apo rend shoqëror, duhet të jetë i pavarur madje ai duhet të jetë edhe kritikues me vend i dukurive negative të shoqërisë. Ai nuk ndikohet nga politika, nga simpatitë apo emocionet e tija, por ai është vertikal, i paepur, real dhe i sinqertë por dhe këmbëngulës në idetë e veta, gjithmonë, për veprimime qëllimmira në përparimin e shoqërisë… Këtu, në këtë shkrim, unë, prpiqem të flas me respekt e përulësi për shkrimtarin e lirë, për atë që nuk është i varur as nga punëdhënësi e as nga kryeredaktori i ndonjë mediumi qoftë pamor apo ato të mediave të shtypura.., as nga rrethanat shoqërore aq më pak nga kuluaret a kuzhinat shtetërore dhe pushteti i tyre autokrat. Ai është i këtillë sepse është si bilbili në ferrë, i lirë, si për dimër edhe për pranverë..! Pra, të kuptohemi, çdo shkrimtar tjetër, përveç atij të “oborrit” që është drejtpërsëdrejti i lidhur me pushtetin, nëse nuk është i lirë do të ishte i ndërvarur nga hierarkia mbi të, e cila i qëndron sikurse çadra mbi kokë, për shi e për diell por jo edhe për erë.., sepse nuk ka çadër që i përballon furtunës,.. kur të vjen papritmas e pa kujtuar, kur të zë “gafil”, e ti pastaj mbetesh “mindil”.?!

Shkrimtari për të qenë konsekuent së pari duhet ë ketë bërë pakt me vetveten pastaj me të drejtën dhe me të vërtetën… Këto janë kriteret që duhet t’i përmbushë ai dikushi që pretendon të merret me shkrime, nëse aludon edhe ta gëzojë epitetin shkrimtar…, sepse nuk ekziston term tjetër që e përcakton shkrimtarin, si për shembull sajesat banale e kundërthënëse, të tipit si: shkrimtar i mirë, shkrimtar i mirëfilltë, shkrimtar i fortë, shkrimtar i dobët, shkrimtar i keq… jo , jo, nuk ka vend për këso “mek-api” letrar…, por ka vetëm një term përkatës e meritor, si që është ai: “shkrimtar”, kurse tjerët janë joshkrimtar si për shembul: shkrues, shënues, përpilues hartues, madje madje dhe plagiator(njeri i paskrupull që vjedh e përvetëson mundin intelektual dhe djersën me sacrifice të tjetrit për të ngritur e shitur veten si “gjoja krijues”)….etj

Shkrimtari i vë detyrë morale dhe shpirtërore vetes së vet, përpara të drejtës hyjnore që, ta nxjerrë nga errësira në dritë të vërtetën, ta ndajë gënjeshtrën prej të vërtetës e cila është si “mishi i egër” në një trup të shëndoshë, në përditshmërinë e zymtë të shoqërisë sonë të “qytetëruar dhe demokratike”, sot e gjithë ditën. Është e vështirë, që në kohë të globalizmit, të qëndruarit vertikal të atij që pretendon të merret me shkrime në tema sociale, shoqërore, historike, kulturore, gjuhësore,..dhe jo vetëm, të cilat shkrime kanë nuanca kombëtare… Andaj dhe si një formë e re e tupitjes së asaj që është e veçantë, pra nacionale, është forma e internacionalizmit por jo siç ishte ajo e socializmit.. Tani shfaqet në në formë të re, përdoren çështje që e prekin shoqërinë, tashmë, të industrializuar dhe të informatizuar deri në fyt, në frymëmarrjen e saj jo të pavarur por përmes “veglave që ofrojnë oksigjen artificial”…?! Mushkëritë janë të varura në funksionimin normal brenda organizmit njerëzor të dirigjuar(të çipuar) si tërësi nga zhvillimi teknologjik në emër të ardhmërisë. Pra shkohet përmes multikuturës dhe multikulturalizmit si dy binarë të imponuar nga globalizmi! Po qe se dëshiron t’i kapërcesh largësitë e paparashikueshme … atëherë… pronto… hyp në “trenin e globalizmit”… ku i ke të tëra, s’të mungon gjë për jetën tënde biologjike dhe kosmopolite… përveç njëshit që lidhet me vertikalen…, përveç veçorisë sate nacionale që i ka rrënjët në kulturën familjare dhe traditën kombëtare(gjuhën, historinë, etnografinë dhe traditën, si që janë doket dhe zakonet popullore qysh prej kur mban mend njerëzimi). Globalizmi edhe në teknikë nuk shkon me riparime por zëvendësime të pajimeve të ndryshme teknike. Zëvendësimi e kufizon aftësinë e trurit pjellor(inovues). Sot në globalizëm ekspertët më të shkëlqyer janë zbatues perfekt por jo dhe projektues(prodhues) të mirë, ky epitet është i rezervuar për një numër të vogël që ndodhen në majën e piramidës komanduese që udhëheq me Botën sepse, vetë Bota e botërimi është vetë Globi e globalizmi…!

Dhe,për këtë fakt, shkrimtari e ka të shenjtë: të drejtën, të vërtetën dhe faktin si artefakt. E para lidhet(mbështetet) në njerëzoren e që është prodhim i hyjnores, e dyta lidhet(mbështetet) në hyjnoren vetë dhe e treta lidhet(mbështetet) në natyrën që është materiale me burim hyjnor… Andaj termi, epiteti apo emri “shkrimtar“, më shumë se kaq, mba veshur kostumin letrar(lëndët gjuhësore), ai i studiuesit mba krahëve mantelin sociolo-filozofik(lëndët shoqërore) kurse ai shkencëtarit ka të veshur e ngjeshur uniformën shkencore(lëndët natyrore).

Shkrimtari po nuk qe korrigjues(korrektor) i dukurive shtrembëruese(devijimeve) në shoqëri të organizuar në shtet, tregues dhe udhëzues drejt përparimit të shoqërisë në të gjitha pikëpamjet e jetës, dhe zbatues i përpiktë i asaj që çon në lirimin e njeriut si një hallkë e kapur në zinxhirin-shoqëri nga tabutë individuale dhe kolektive, pavarësimit të shpirtit të individit dhe hapjes së trurit të individit në mendime pa paragjykime ndërkaq koncentrimit të tij në gjykime si dhe rifreskimit të kujtesës kolektive kombëtare në mbamendjen e ndodhive reale gjatë historisë në përmasa kombëtare dhe ndërkombëtare sepse këto janë ngusht të lidhura mes vete dhe ndikojnë në krijimin e rrethanave socio-ekonomike dhe historike. E gjitha kjo ka çmimin e vet..,që shkon deri te ajo mbase dhe përtej asaj që është sublime për njeriun! Pra vetë jetës së tij.

“Shkrimtari qoftë i gjallë apo i vdekur është hero i martirizuar i vertikales në mbarështrimin e njerëzimit drejt lirimit shpirtëror e mendor të tij! Ashtu si është hero edhe dëshmori i martirizuar për lirinë e atdheut dhe popullit të vet, madje ndonjëherë edhe për lirinë e një vendi a populli tjetër..!