Poezi nga Kasam ShAQIRVELA

Të urojë për Pavarësinë
(Ty Kosovë, e imja Dardani)
Besimi në Ty nuk më është shterure shuar
dhe shpirti shpresën të ngrohtë hala ma mban
sado që kalvaret nuk të janë sosur apo zvogëluar
por shqiptarizmi na bën dritë gjallimi për ne,
ai, qëndron i ndezur sikurse një shandan…!
Fort mirë e di…dhe dëshira ma thot
që ke për ta uruar me gojën plot
emrin tënd të vjetër, emrin tënd të ri
ti, i lashti Dardan, i të lashtës Dardani
se zemra ime shekujve në kapërcyell
të ka mbajtur në gji me mushkëri fyell
dhe padrejtësitë e bëra ndaj teje….,
të rënda, ndër gjithë këta shekuj…
domosdo se kanë për t’u ndrequr
kanë për të udhëhequr meritueshëm
burrat e vërtetë, shqiptarët dishepuj
dhe jo më çakallë e arusha…
fshehur në male e zbuluar ndër fusha
që rrahin gjoks qysh paskan luftuar
e të tjerët paskan ndejtur fshehur
mjeranë nëpër ledhe e nëpër gëmusha
dhe pas lufte kur disa prej tyre u vranë
e shumë të tjerë që ndërruan jetë gaçepçe
mbetën ata që janë shumë të zëshëm…,tenor
luftën e bënë se paskan fletë të pashqepshme
po hiç pa mbare e pa fiqir ky i mendjes terror
ah ç’mynxyrë…, këso përralla çiliminjsh
dëgjuar i kam me dekada…..
ata që të nxorën në treg, për të të shitur fare lirë
thuan se e patën sa për të ta ditur çmimin
e kur do të tjerë, ngutshëm, po ta qepshin qefinin
ta prenë bile ngusht edhe xhamadanin
zvogëluar e shitur të vetin Vatanin…
ah këta fodullë që u veshën allafrënga
këta bastardë modern, mund t’i ndalë vetëm
një drejtësi e mirfilltë njerëzore…nëse ka?!
ku ligji do të kishte qenë ligj…,
pa hatërmbetjet dhe krushqi mizoret
të paudhin do ta vënte në pranga
dhe,… “Kuajt e Trojës”…
do t’i lironte nga parzmoret
lidhur fort do t’i mbante
në grazhdin e pabesisë…
peshqesh për tradhëtarët,
aktorët e tradhëtisë….
dhe rendi i shtetit do të vëhej
i drejtë dhe alla perendim
ku shqiptarit…, djersitur
do t’i përvishej mënga
veç kështu ecet përpara,
vetëm kështu përparon,
Ti o vendi im..!
Sepse, në këtë milenium mbijetese
nuk frymohet më allaturka…
por, vetëm e vetëm allafrënga,
për Liri të lënur amanet breznish,
kapjesh fort historish kthese,
prej nipi e mbese..!