Kaskadat  e zjarrta të shpirtit-Nga Xheladin Çitaku 


Xheladin Çitaku 

Kaskadat  e zjarrta te shpirtit  

       Poeti Ismet Tahiraj, vazhdon të hapërojë gjerësive poetike për ta mbledhur thesarin e muzave dhe për ta strukturuar si frymëzim i motivuar në një përmbledhje të re poezish. Libri i radhës, që na ofron Ismeti, vjen si klithje, si ofsham, si dhimbje a si ndjeshmëri sensitive e shpirtit të poetit; vjen si përjetim e ndijim nëpër kohë, si shpërfaqje e botës së tij shirtërore. Bazamenti i krijimtarisë poetike të Ismetit, si gjithnjë, është realiteti i përjetuar, koha dhe përditshmëria, rrjedhat jetësore dhe nxitësit e ndryshëm të dellit krijues, është e kaluara dhe e sotmja, si gardërobë e jetës dhe njerëzve të kësaj treve. Ismeti i ndjenë problemet, i prekë ato, jeton me to, Ismeti e ka jetuar thellë të kaluarën, veçanërisht atë të kaluar të afërt që ka lënë gjurmë, vrragë e plagë që kullojnë akoma; e kujton këtë kohë duke përshkruar inserte vrragëlënëse për të mos i harruar ato veprime barbare, të cilat në trevat e tij (në Drenicë) ishin shumë të theksuara, veçanërisht: 

“Përplotë  sorra, o zot 

Sorra të zeza  

Mbjellnin vrasje 

Sikur të ishin sot…” 

Vërenë dhe ndjenë poeti, e jeton kohën e rëndë, bashkëjeton me dhimbjen dhe me tmerrin e atyre ditëve kur jeta kanosej në çdo çast, kur ekzistenca individuale dhe kolektive ishte në zgripc. Sorrat mbillnin vrasje, sorrat e zeza që e nxijnë vendin, e zënë diellin, mundohen ta shuajnë dritën e jetës e t`i mbyllin shtigjet e ardhmërisë. Tym nxirrte vendi, flakë digjej toka, por shpresa jeton, shpresa ndrinë horizontit, gjithsesi: 

“Mbi qiellin  pa ndjenja 

Ditët rendohëshin 

Si kllira e egër 

Sipër neve…” 

Por, ai bashkëjeton edhe me trimërinë, njeh sakrificën sublime dhe shkruan për të, e vlerëson atë, e lartëson atë. Shkruan për trimin (Ilaz Kodrën, Adem Jasharin, Tahir Mehën, Çerçiz Topullin, etj), shkruan për simbolin (plisin), për aktet që piedestalizojnë heroizmin, por edhe për antipodin e tyre (udbashët); shkruan “për tokën e kokën”, për zjarrin e shpirtit dhe zjarrin e betejës. 

Poeti ravijëzon ngjarjet poetikisht, nëpër gjeografinë e vendit të tij, nëpër gjeografinë e ndjenjave të tij, duke shpërfaqur drejtpërdrejtë emërvende që lidhen me përjetime të tmerrshme dhe, ndjeshmërinë shpirtërore të tij për ndodhitë që i ka parë e përjetuar. Në kënde të ndryshme, në poezi të caktuara, pikturohen skenat e tilla, të cilat defilojnë në ekranin e mbamendjes së Ismet Tahirajt. 

     Veç të shkuarës, poezia mbërthehet edhe nëpër aktualitetin e sotëm, nëpër hapat e përditshëm që hedhim, nëpër mendimet, gjykimet e meditimet, por edhe nëpër dukuri e fenomene të njohura e të panjohura. Mbi këtë bazë, motivet lindin e nxisin sot, këtu dhe shtjellohen përmes ndijimit, perceptimit, por edhe imagjinatës, të cilën poetët e angazhojnë herë, herë. Tek Ismeti vrejmë një linjë të veçantë përshkrimi, një mënyrë të posaçme të transponimit të realitetit e aktualitetit; përdorimin e figuracionit dhe simbolikës, në masë të konsiderueshme dhe, aplikimin e formateve gjuhësore të veçanta e të rralla, në të cilat përmblidhen kuptime e postulate shprehëse, sintetizohen formulime të caktuara për ta shprehur atë që dëshiron autori, atë që ka paraformuar në shtresat e nënshtresat ndjenjore e emocionale: 

“Dje dola nga spitali, 

Jo nga spitali 

Po nga therra murrizi, 

Që digjej edhe qefini..” 

Itinerarin stilistik, Ismeti e përshkon nëpër fjalëformim dhe nëpër strukturë unike poetike, e cila përfaqëson autenticitetin dhe individualitetin krijues të tij. Si i tillë, ai është original në tërë tablonë krijuese të tij. Sipas tij, jeta rrjedh si lumi që përshkon hapësira dhe vijëzohet tek ikën tutje, tek ikën fushave e luginave, tek ikën nën ura, por edhe tek vërshon e del nga shtrati, pastaj lë mbetjet e kohëve, mbetjet që shtresohen në shpirtërat njerëzor. Në këtë infrastrukturë rrjedh edhe vargu (si lumi), përshkon kaskadat e shpirtit dhe, herë-herë bie si ujëvarë dhe sajon avullim e pluskime që ylberohen nga rrezet e diellit, por herë-herë krijon edhe katrahura, të cilat po ashtu reflektohen apo identifikohen në varg: 

“Thjesht lumenjtë 
U futën udhëve, 
Nën ura 
Nën parvaz hekurash 
Ata nuk i flladitën 
Fushat, fushë gjëra 
Por sollën baltëra 

Sollën katrahura…” 

Lumenjë të tillë nuk ikin vetëm nën ura, nën parvaze hekurash, nuk i flladisin fushat, por edhe i vërshojnë ato, i mbushin baltëra dhe sjellin katrahura në gjerësitë ku shtrihen, nëpër udhë pa udhë, rrëmbyeshëm. 

     Në rrugëtimin poetik, Ismet Tahiraj shkarkon frymëzimet e tij në kordinatat e njohura artistike dhe eksploron në thellësitë emocionale për t`i formësuar ngacmimet, për t`i ngjyruar ato me koloritin e fjalës së kultivuar dhe shprehjes së rafinuar bukur. Ismet Tahiraj është mjeshtër i simbolikës, i akomodimit adapt të saj, konformë kërkesave të ideotematikës. 

Në shumësinë e trajtimeve motivuese, autori i përmbledhjes “Klithje” gjendet në vorbullën e ngacmuesëve të jetës, që rrjedhin nga aspekte të ndryshme të saj. Në këtë kontekst, aspekti lirik është i pashmangshëm, si gjithnjë. Ndodh kjo, sepse ndjesitë e shpirtit veprojnë në çdo kohë, në çdo rrethanë. Prandaj, në vargun e Ismetit dashuria është prezente, në një formë a një tjetër, ku më pak e ku më shumë, por me konfigurimin e saj të veçantë, gjithsesi: 

“Eh  dhe kjo  deklaratë 

Kishte preambulën 

Më të kuq të buzëve tuaja 

Ku lidhen nenet e dashurisë 

Mbi vargje të zjarrta 

Mbi betime të qarta 

Në arkivin e bukurisë.” 

     Kjo është jeta; e jetuar dhe përjetuar në të gjitha format e mënyrat që ofrohet, me të mirat e sfidat. Poeti e përshkruan atë, e pikturon atë në poezi tek fikson ngjyrat e saj në intensitete të ndryshme. Kjo jetë (dhe përshkrimi i saj, natyrisht) shpërfaqen në çaste kohe, në momentume, por edhe në sjellje, edhe në koncepte, edhe në ravijëzimin artistik, gjithsesi. Dukuritë e ndryshme, të cilat defilojnë në këtë përmbledhje, e ilustrojnë këtë. Ato evidentohen dhe stigmatizohen artistikisht, si devijim a si ves i njeriut tonë që prodhon negativitet shoqëror. Janë disa poezi që e konkretizojnë këtë element, që e skicojnë në kohë, mënyrë e hapësirë: 

“Kafshata ime 

Po më del diçysh 

Si më hangër deltinë! 

Po , pa   pikë  tambëli 

Gjithkah e mykurë…” 

Janë këto copëzat e jetës, si pjesë e një mozaiku që shtrihet në gjerësitë e thellësitë poetike të përmbledhejes së Ismet Tahirajt.  

     Poezia e Ismetit është gjithpërfshirëse në kuptimin e shtjellimit të problematikave që shfaqen në jetë, si sfidim a si cimbisje sporadike. Ajo rreket t`i trajtojë aspektet e shumta, të mbaj qëndrim shpirtëror ndaj tyre, duke i sipërfaqësuar nga bota e brendëshme në strukturën e poezisë. 

     Përgjithësisht, Ismet Tahiraj është poet produktiv, që nuk pushon së krijuari, që i ofron lexuesit produktin e tij intelektual, krijimtarinë artistike.