#DardhaMagicHeritage-Literature.3



















Katerina u rrit mes bukurive dardhare, në një ambient frymëzues mes njerëzve të lirë dhe të civilizuar në shpirt.
Që në vitet e hershme të adoleshencës të shkruarit e mbresave etj, me ndërthurje të fjalëve thjesht, bukur dhe me fantazi, u bë pjesë e pandarë e mënyrës të jetesës që e lumturonte dhe i zbukuronte shpirtin e saj artistik.
Në shënimet mbresëlënëse mund të shpaloset libri i saj i jetës me gjurmë të hershme të një talenti letraro-artistik, të një kronikane me vlera artistike dhe të trashëgimisë të periudhës së jetuar si pjesëtare aktive në aktivitetet komunitare. Mbresëlënëse janë përshkrimet plot emocion dhe art të bëra nga Katerina të aktiviteteve artistike e kulturore të organizuara e jetuara në Dardhë, tema të denja për tregime, novela e skenarë filmi.
Kur disa shkrime rinore të Katerinës rastësisht i ranë në dorë shkrimtarit dardhar Teodor Laço ai shënon me fisnikëri : “…Mbresa e parë ishte e befasishme. Që ta pranoj me sinqeritet, nuk ma merrte mëndja që Kati të shkruante kaq rrjedhshëm me fantazi dhe me një sy poetik. Gjithashtu të kishte kaq interesa kulturore…. Kam patur rast të lexoj shkrimet e para të mjaft vajzave letrare…porse ato nuk kishin këtë mprehtësi shikimi, këtë ndjeshmëri. Nuk është aspak vonë që Kati të hyjë me seriozitet letërsisë së vërtetë”.
Për Katin të ëndërrosh nuk është një largim nga realiteti, por një mjet për tu afruar me të në mënyrë romantike, ndërsa fantazia një botë alternative magjike, mbinatyrore dhe mistike që mundëson ndriçimin shpirtëror e të gjitha ndjesive dhe ngjyrave të jetës.
Për të ishte një dhunti thjeshtësia, vlera e mirësisë e zëmërgjerësisë në këtë botë iluzore.
Znj.Katerina përveç shkrimeve letrare ka talentin artistik e aftësitë e jashtëzakonshme kreative të përkthejë – shqipërojë vepra letrare me një koloristikë natyrale, me shijen e duhur në përzgjedhjen e fjalëve, me një instikt të spikatur për një zotërim të kërkuar të formës e ritmit si dhe kontrollin e balancës emocionale duke transmetuar efektet letrare stilistike e estetike tek lexuesit, të cilëve u jep pasaportën e kalimit pa vizë të kufijve globalë kulturorë midis vendeve.
Veprat e përkthyera – shqipëruar nga Katerina dhe të botuara deri tani janë :
– “Pushime në Paris” W. Somerset Maugham;
– “Dëshira të fshehta” W. Somerset Maugham;
– “Hëna dhe gjashtë aspra” W. Somerset Maugham.
– “Velloja e ngjyrosur” W. Somerset Maugham;
– “Teodora, nga llumi në fron” të Paul Wellman;
– “E vetmja rrugë” Aziz Nesin;
– “Kismet, nga buzët në zemër” Reşat Nuri Güntekin;
– “Rrëfimi i një zemre” Stefan Zweig.
Znj. Katerina gjithashtu ka përkthyer – shqipëruar në dorëshkrim (që presin botimin) vepra të shkrimtarëve klasikë si psh William Somerset Maugham, Henri Troyat, Fyodor Dostoevsky, Necati Cumali, Annemarie Selinko, Mary Higgins Clark, Alexandra (Alia) Rachmanowa, Anna Grigoryevna Dostoevskaya, Aleksandr Kuprin, François Charles Mauriac etj, të cilat janë titulluar si më poshtë :
Liza nga Lambethi / Një natë në vilë / Kuartet /
Këndi i ngushtë / Arkondi i fundit i Ballkanit / Tragjedia e një dashurie / Dostojevski dhe unë / Vajzat e humbura / Dashuri ekstreme / Varri / Fundi i një nate / Thérèse Desqueyroux /Robëri
njerëzore / Desiree ….
Me librat e shqipëruar të botuar dhe dorëshkrimet e saj, Katerina përfshihet në listën e përkthyesve shqip të talentuar dhe prodhimtarë. Duke ditur që përkthimi letrar është niveli elitar dhe përbën një sektor të rëndësishëm të këmbimeve të kulturave të ndryshme gjuhësore e letrare, vlerësohet që Katerina ka dhënë një kontribut të konsiderueshëm në këtë drejtim.
Të përkthesh një vepër letrare për Katerinën do të thotë të përkthesh kulturë, është një veprimtari artistike ndërgjuhësore e ndërkulturore që rilind një vepër nëpërmjet procesit të vështirë ku përfshihen etapat e leximit, interpretimit dhe rishkrimit në gjuhën shqipe me frymëzim si rezultat i një game të gjerë shndërrimi e përzgjedhje gjuhësore, stilistike e estetike, në sajë të emocioneve që merren nga autori i origjinalit.
Për këtë kontribut të shquar, znj. Katerina ka marrë vlerësimet e shtëpive botuese si dhe të shoqatave të shkrimtarëve ku mund të përmendet çmimi “Fan. S. Noli në Përkthim” të dhënë në ambientet e Ambasadës të Shqipërisë në Athinë nga Klubi “Drita” i shkrimtarëve shqiptarë në botë dhe revista letrare-kulturore “Pelegrin” etj.
Është mbresëlënëse të mendosh sa ndjesi të këndshme ka përjetuar Katerina me lidhjen emocionale që ka krijuar me autorët dhe personazhet e veprave të përkthyera, duke pasuruar njëkohësisht intelektin e botën e saj artistike, gjë që vihet re në përsosjen në vazhdimësi të shkrimeve e saj me një stil mjeshtëror që të frymëzon.
Jeta e Katerinës është përshkuar ndërmjet dy vëndeve të dashura për të : Shqipërisë dhe Greqisë. Dardha ishte vatra e ngrohtë ku u rrit, u frymëzua dhe zhvilloi pasionet e saj, ndërsa Athina ishte vëndi mikpritës ku emigroi për rreth 30 vite e zhvilloi më tej talentin artistik të përkthimit e shkrimit si dhe ku njohu bashkëshortin Murat Aliaj, shkrimtarin e spikatur të shumë librave, libri i parë i të cilit u redaktua në vitet 1975 nga Teodor Laço.
Prindërit e Katerinës : babai Leonidha dhe mamaja Janulla mbeten frymëzuesit e parë në zhvillimin të talenteve të lindura të saj në fushën e artit të këngës, të artit të qëndistarisë e thurrjes, në fushën e gjuhësisë e letërsisë.
Ajo këndonte me zë të bukur sa prindërit e çuan ta rregjistronin në konkursin e pranimit të për kanto në Liceun Artistik “Jordan Misja” por dora e fatit nuk i dha mundësinë të konkuronte.
Qëndismat e bëra nga Katerina janë vepra arti me klas finese.
Shtëpia e fëmijërisë të Katerinës në Dardhë ishte dhe është sot një “mini muze” trashëgimie për artin e qëndistarisë dhe thurrjes tekstile.
Znj. Katerina jeni nderi e krenaria e Dardhës.
Ju urojmë suksese të mëtejshme dhe botim të dorëshkrimeve tuaja të shumta të përkthimeve – shqipërimeve të letërsisë botërore.
(Përgatiti Arian Çika, në 3.09.2023)