Këndo, shqiptar!Zymer Mehani


Zymer Mehani
Këndo, shqiptar!

Këndo, shqiptar, çfarëdo që të ndodh
Edhe nëse kënga të djeg flakë
Edhe nëse melodia t’ këputet në mes
Edhe nëse engjulli t’ bëhet dreq
Këndo e mos u step

Sido që të bëhet, shqiptar, këndo
Edhe nëse miku t’shkakton plagë
Edhe nëse zemra t’digjet flakë
Edhe nëse koha të lë vrragë
Këndo e mos u mpak

Këndo, shqiptar,  në çdo çast
Edhe nëse je i mbushur me gëzime
Edhe nëse ke vetëm dëshpërime
Edhe nëse përjeton ndonjë zhgënjim
Këndo, o vëllai im

Në çdo situatë, shqiptar,  këndo
Edhe nëse ikin shpendët shtegtarë
Edhe nëse s’t’ mbin fara në arë
Edhe nëse s’ke drith në hambar
Këndo, o vëlla shqiptar

S’e ndale këngën për pesëqind vjet
Kur osmanliu, sulltan e mbret
Të shkeli malet, tokë edhe det
Me zjarr e flakë, me dhunë e tmerr
E kënga jote s’u ndal asnjëherë

Këndo, shqiptar, kurrë mos u ndal
T’jehojnë kudo jonet e saj
Të ushtojë fushë,  mal edhe det
Këndo se këngën e pate jetë
Këndo, shqiptar , o trim me fletë!

About Post Author