Kënga e ditës që vjen-Llesh Gjoka


KËNGA E DITËS QË VJEN

Ofshamë e largët lindje

Krifë e artë drite

Erë e nxehtë që vjen prej Afriket

Udhëtarët e saj – njerëzit.

Këngë e zhuritur për një pikë ujë

që vjen andej nga Atika

Tym zjarresh që duan të digjen

pyjeve të largët këndeve të dheut.

Këngë mjelme mbi liqen

Melankoli e ëmbël flatrash në ajër

Mizëri kinematike njerëzish

hallakatur tej e tej bregut.

Udhë e pambaruar deri në cak

Uri e thukët për dashuri

Simfoni blu e çadrave në plazhe

vigmë e lartë që ndihet.

Pasqyrë e dielltë refleksesh

Shpirt i zënë në pritë…

Do jetojmë në diell

edhe për një ditë.