Këngë dashurie nga sorrat!…Vaso Papaj


U lodha, nuk dëgjoj dot më

Këngë dashurie nga sorrat.

Mbyll dritaret, shkoj të flë,

S’kam ç’u bëj, vjelin të korrat.

Mezi pres të vijë mëngjesi.

Një mëngjes jo bardh e zi.

Brez ylber të ketë tek mesi,

Të më falë pak dashuri.

Sorrat kurrë pëllumba s’bëhen.

Kurrë s’këndojn’ për dashurinë.

Me krra – krra, ato s’dëgjohen.

Dinë të mbjellin vetëm zinë.

Kërkoj gjatë motiv të ri

Perëndi, vallë, ku të t’gjej?

Një besim, një porosi,

Këngën tënde t’ua përkthej.