Këngë e hershme-Preng Maca


Preng Maca

Të preka me dorën që dridhej

ishe plagë e ngrohtë e heroit të rënë

zemra si një zog hidhej,

mbi fjalë binte dritë e argjendë.

Përgjova nën këtë dritë magjike

lulen dhe pyllin

një mal, një lumë një zog

diellin dhe hënën

agimin, kur ia zinte natës yjet rob.

Të takova tek një baladë e vjetër

e në sytë e trembur të një vajze!

Mendova, sekretin tim s’duhet ta dinte njeri!

të fshehur dashurinë time e lashë

në një fletore të shtrenjtë,

brenda valixhes së drunjtë, në shtëpi.

Kaluan shumë kohë

nuk ndahesha nga ti, poezi

ditët ishin ura afrimi me ty!

Jam trishtuar ndonjë mbrëmje

kur më ngjau,

se vetminë në sytë e tu e pashë!

si nga një ëndërr e tmerrshme jam zgjuar

e në mëngjes… kemi qenë prapë bashkë!