Këngë e re për Rozafatin-Llesh Gjoka


KËNGË E RE PËR ROZAFATIN

I paska ra prapë mjegulla Buenës

Fryu një erë e hollë

Dhe e naltoi n’at Valdanuz…

Muret e kalasë po dridhen

Erë e re po i shkrifton selvitë e zeza si murgj

mbi gurët e bardhë të varreve

Kukuvajkat kanë marrë toritje

si vajtojcat e mbrame

E po trumbohen djerrinave rreth kalasë me myshk.

Një gjamë të re paskan thurë

e paskan ndjellë me gjasë

Kahmotit qenkan mejtue…

Një plak i urtë qenka n’ dukje

i përhimtë nëpër mjegull

Me një dorë gjatoshe rishtas

kalanë me bé po e shenjoka

Gurët sa një shkëmb

po u dridhkan si gjethishte.

Një piskamë ishte ndie njatjevone n’at mugëtim

Rozafati u shkul nga muret

Djali paska rrit shtat

E vorr të ri i paska ba s’amës

Ani, se s’mban ma magjia!

Themelet e kalasë po dridhen

e shpatet me gurë po shungullojnë

A ka ma burra të besës

e nuse me ba fli?!

A ka ma fjala – fjalë

e gjak zemrash për magji?!

Në tokën e lashtë të labeatëve

A ka ma fis sojli?!

E paska shkue fjala si amanet

Bash përmbi çarshie të reja e shpia me za

E gurët në kala i paska randue.

Amá, kush s’e paska ma zahmet

Me mbajt kala dhe me qëndrue

Se mjegulla kohnat i pat ndryshue.

I paska ra prapë mjegulla Buenës

Fryu një erë e hollë

Dhe e naltoi n’at Valdanuz…

ll@gjoka