Këngë të vjetra-Vaso Papaj


Sa herë që flisnim për dashurinë,

S’e mbaja dot zemrën time.

Me këngë më shtije në ëndërrim:

Ishe qielli, deti. Ishe bluja ime.

Qenë këngë të vjetra, shpesh i kujtoja,

Bashkë i dëgjonim, atje në kuzhinë:

Ëndërra baballarësh mbuluar nga droja,

Shpirtra të humbur përherë në kërkim.

Për miqësi që nuk u panë kurrë,

Për dashuri të mbetura në klasë,

Këngë që sillnin radiot portative,

Pas biçikletave, mbërthyer në kasë.

Mos ësht’ më lehtë të rikujtosh,

Se sa të kthesh kohën e shkuar?

E kur përreth ka që të thonë :

“Ajo që shkoi qe koh’ e shquar?…”

Mos ësht’ më mirë të rrimë, vallë?

Mos ësht’ më mirë, këtu ku jemi?…

Të vjetrat këngë kanë vetëm mall

Dhe mallin veç një kurth e kemi…