Këpuca e xhamtë-Rudina Muharremi Beja


Vargu i gjatë i njerëzve që me vete mbarte premtime të çuditshme udhëtonte në heshtje atij të ftohti të acartë mbrëmjes së fundvitit. Veshje të gjata e të leshta që ngrohnin zemrat e tyre të akullta dhe një shi i imët që më shumë ngjante me dëborë u ngrinte frymët. Tek tuk ndonjë i ri qeshte, ndërsa pleqtë e fisit ngrysnin vetullat në shenjë qortimi…

Ajo, mbështetur mbi parvazin e mermertë të dritares, vizatonte mbi xham një lule e me kërshërinë e një fëmije analizonte fytyrat e panjohura që shquheshin dritës së zbehtë të llampës së vockël të koridorit…

Eh, sikur të mund të fliste….

Ndërsa shtëpia kishte çelur portat në shenjë mikpritje, shpirtrave, shula akulli kishin mbetur kacavjerrë…

Mali përballë kishte ulur kreshtën që hëna të dilte sa më parë për të shquar edhe më qartë kortezhin e tyre.

Të dëgjonte fjalët e veshura bukur, të vështronte krekosjet që baltosnin ca ëndrra, sytë dhe zemrat që u qorruan udhëkryqeve dhe perden e padukshme të pas kuintave që fshehte mjeshtërisht tehun e një humnere…

Ndjente kërcitjen e hapave dhe vazhdonte të pyeste veten;

cili nga të rinjtë mbante këpucën e xhamtë ?!

Nuk njohu askënd, por me siguri gjithçka iu duk si një komedi, ku fatkeqësisht aktrohej me jetët e njerëzve!

A nuk është vallë e vërtetë, se çdo dashuri që ka si shkak tribunë e kohës dhe jolirinë shpirtërore nuk mund të jetojë kurrë gjatë?!