Kërkonte një çati tjetër-Llesh Gjoka


Llesh Gjoka

E pashë duke ikur

Me thembra të ënjtura

Me sy të nxirë

Me krahët hapur

Dukej se po ndërmerrte një fluturim

S’di se ku

Apo si klloçka

Po merrte në mbrojte zogjtë e saj

Që të mos mbeteshin jetimë,

pa faj.

E pashë të vendosur

Ikjen e kishte vendosur arësyeja e mosarësyes

Se jeta meriton një shkundje

Se jeta meriton një supernova

Një shpërthim të ri

Kur bari i shkelur rëndë

Nuk mund të mbijë.

E pashë se si i hapej udha

Përmes shkëmbit, përmes dallgës, përmes zjarrit

Kishte superfuqi olimpike

Për të përballuar

E vetme gjithçka e kudo

Nuk mund të kthehej

Gjurmët nga pas ishin shuar.

E pashë që kërkonte diçka, diku tjetër

Në fluturim të lirë

Mbase dukej ekstazí

Mbase dukej çmenduri e ekzistencës

Por jo

Ishte arësyeja e saj përtej vetes

Në mbrojtje të jetës.

E pashë se zgjodhi një rrugë

Hyri nën një çati tjetër

Pa ulërima

Atje

Ku ujqërit e kishin braktisur

Habitatin e vjetër.