Këshilli i Qarkut të Vlorës nderoi ceremoni shkrimtarin shqiptaro-amerikan Petraq J. Pali, “Mirënjohje e Qarkut të Vlorës”


Clirim Hoxha

Këshilli i Qarkut të Vlorës nderoi sot në një ceremoni shkrimtarin shqiptaro-amerikan z. Petraq J. Pali, “Mirënjohje e Qarkut të Vlorës”, për kontributin e dhënë në fushën e letrave dhe veprimtarive shoqërore në zonën e Laberisë, Qeparo, Vlorë e kudo deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Merrnin pjesë shok dhe miq të zotit Petraq, intelektual, familjar, bashkpunëtor, poet dhe shkrimtar, artistë të skenës etj. Takimin e moderoi aktori Ilirjan Ali, i cili, pasi foli për personalitetin e Petraq Palit ftoi sekretarin e Këshillit të Qarkut të Vlorës z. Vllasi Nasi të dorëzonte pllakatën dhe çertifikatën përkatëse për z. Petraq J. Pali, “Mirënjohja e Qarkut të Vlorës”, propozuar nga Shoqata Labëria etj. Kanë folur rreth Petraq Palit shok e miq të tijë. Zoti Petraq Pali falënderoi Këshillin e Qarkut për vlerësimin dhe oratorët e pranishëm për konsideratat e shprehura në adresë të punës dhe aktivitetit të tijë letrar dhe patriotik. Në përfundim u shtrua një drekë në restorantin e Hotel “Rexhina” në Skelë për nder të të pranishmëve.

Sejmen Gjokoli

PETRAQ PALI,

KRIJUESI I PA SHTERSHËM

Ca fjalë për poetin e shkrimtarin shqiptaro-amerikanin Petraq Pali

Emri i Petraq Palit ka kohë që ka zënë vendin e vet të merituar në radhët e krijuesve, jo vetëm të Bregut të detit e Vlorës por edhe të Shqipërisë. Lëvrues i disa gjinive letrare ay vazhdon me të njejtin intensitet edhe sot duke e ndarë këtë krijimtari midis Shqipërisë dhe Amerikës ku, mes të dyave, ndan edhe jetën. Është vërtet një rast i veçantë që ja vlen ti referohesh kur mëson se në një hark kohor jo shumë të gjatë, njeriu të ketë një prodhimtari kaq të dendur e të shumëllojtë letrare, 28 vëllime të botuara deri sot, në prozë dhe në poezi. Duhet thënë se në tregimet, novelat e romanet e Petraqit gjen shtjellime me tema e “produkte” të vendit e fare pak trille të autorit. Ndërkohë që poezia e tij mbetet ajo e mallit, e dashurisë për vendlindjen e vendin e tij, Bregun e detit sidomos, po edhe dalldisjet që të ofron tema e dashurisë si diçka e përbotshme për cilin do krijues. Petraq Pali gjithashtu mbetet një vëzhgues i hollë, përherë një qytetar i shqetësuar e i angazhuar dhe jo më kot shumë prej krijimeve të tij në vargje kanë të dallueshme motivet me tema të ditës të cilat i sjell për lexuesin pa shumë ojna e zbukurime, me një sinqeritet e dlirësi tepër të admirueshme. I lindur e rritur në një fshat e krahinë me detin te “dera”, poeti e shkrimtari Petraq Pali, mbetet një dashnor i përhershëm i detit siç mbetet i tillë edhe për limojtë e portokallet, për ullirin e tokën që e rriti, për gurët e sokakëve të Qeparoit, zallet e bukuritë e pa fundme të asaj ane. Mjafton të kesh kontaktet dhe aksesin në adresën e tij në rrjetin social dhe menjëherë shikon vërshimin e krijimtarisë së tij e cila duket tejet e pa shtershme. Si bir i një burri të shquar në lëmin e diturisë, të mësim dhënies por edhe të historisë e krijimtarisë letrare, Janko Palit, Petraqi mbetet befasues e i jashtëzakonshëm edhe përmes paraleles tjetër, atë të publikimit të krijimtarisë interesante të të jatit të vet. Në se në ditët e sotme dhe në brezin që jemi mençuria e Janko Palit, këtij mësuesi e krijuesi të ndritur vazhdon të njihet e të jetë prezentë, kjo pa dyshim edhe për meritë të Petraqit i cili e shikon kontributin e babait të vet përtej një rrethi familjar apo një fisi. Petraq Pali e shikon këtë ndërmarrje si një mision me rëndësi të madhe për historinë e shkuar por edhe për atë që vjen më pas. Atdhedashuria dhe fisnikëria e kësaj dere të Qeparoit e më përtej shekujve, të Zhulatit, ka kohë që na vjen e shëndoshë përmes dy penave; babës e birit. Petraq Pali na vjen përherë si një krijues i shumëanshëm i gjinive letrare por na vjen gjithashtu edhe si një intelektual i angazhuar e krejt i veçantë në kohët që po jetojmë e që përmes organizimesh shoqërore si devizë e tij mbetet dashuria që ka për gjuhën, për këngën, zakonet, traditat shpirtërore, për Atdheun dhe Kombin e vet. Personalisht jam dy herë i nderuar me gjithëshka krijuese që Petraq Pali realizon; edhe si mik e bashkë krijues pranë Klubit Letar “Petro Marko” në Vlorë, por edhe për shkak të rrënjëve të përbashkëta në Zhulatin e Idriz Sullit, legjislatorit e themeluesit të “Kanunit të Labërisë”, të Labërisë tonë të dashur.

Sejmen Gjokoli,

About Post Author