I përkas dheut me ngjyrën e gjakut.
Të parët e mi u lindën me jataganë ngjeshur.
Kishte edhe burra të ndritur
Thirrjet e tyre e zgjonin atdheun e përgjumur.
Por nesër
Nesër kur unë nuk do të jem.
Nesër të tjerë do të vijnë
për të rishkruar historinë.
Nuk dua
që trimërinë që patëm
me emra trimash t’i
arkivojnë.
E në vend të shpatës ta fusin në milll
si diçka të vdekur.
Nuk dua
që heroizmit t’i shpallin
një kod të ri kompjuterik.
Dhe bustet prej bronxi
mbi piedestalet arkaike
ndoshta do t’i shesin për skrap
më lirë se një paketë cigaresh Malboro.
Këtu në një cep të botës
Këtu ku jam unë
me një taborr luftëtarësh në ikje.
S’ka më thirrje me tërsëllimë
saherë kanoset atdheu.
Sepse me kufijtë e tij
po thuren histori të reja,
të ligshta.
Nuk është faji im
që jam
I Fundit i Mohikanëve.
Dhe asgjë nuk mund të ndryshoj.
As kodin e ri të heroizmit
as atë të moralit
qē tani po shitet shumë lirë
çarshive të mbipopulluara.
Këtu!
Në një cep të botës!
Vendlindja ime!
Sepse bijtë morën arratinë në çdo anë.
Në toka të reja
hodhën rrënjë të reja mbijetimit
duke e lënë cullak të mjerën
pa rrënjë, pa filiz, pa farë.
Nuk e di pse po ndihem
i vetmuar rrugëve.
Përherë e më pak të njohur po shquaj këndej
pērherë e më pak
kore gazmore fëmijësh
më shfaqen
lagjeve me diell.
Veç qielli, po!
Veç qielli i hirtë me limontinë e tij
na dërgon ca pika të hutuara shiu
bash si sytë e nënave
që rrinë përvuajtshëm pragjeve
në ditë të kërrusura pleqërie.
Dhe dheu i kafejtë pa ugar
pemët që dështojnë
pa lindur fryte
lulet që pērpëliten hijes së zhegut
e disa gjëra të vlera
që natyra na i fali bujarisht.
Veç ato, aty janë!
Dhe unë që po shkruaj brengën sot
në vend të një elegjie.
Këtu!
Në një cep të botës!