Kjo është historia e Kumanovës


Kumanova Maqedonia Ndryshe

-Gjatë epokës Ilire Kumanova si venbanim ilir ishte e njohur me emrin Zheglig, emër që supozohet se rrjedh nga fjalët zheg – nxehtësi dhe lig – i sëmur ose i keq. Qyteti dardan ndryshoi emrin edhe dy here më pas. Për fisin Dardan Kumanova kishte një rëndësi të veçantë. Qyteti lidhte rajonin e Panonisë me ate të Pontis dhe kishte një gjallëri të jashtëzakonshme.

Në vitin 26 para erës sonë Romakët pushtuan këtë rajon. Vendi ishte i jashtëzakonshëm, kishte lumenjë, pemë e plot shelnje që jepnin shumë hije. Romakët pikërisht për këtë arsye e quajtën “ Umbra – Nova” që do të thotë vend i hijeve ose hije të reja. Një pjesë e Romakëve e quanin “ Umeonovo” që do të thotë “vend i ri me lagështi”. Më pas ndërroi emrin prap, kur me ardhjen e një numri të madh ushtarësh romakë (nga një regjion i njëjtë), e quajtën Cumaenova (Kumaenova). Shumica e ushtarëve ishin nga qyteti Campagna i sotëm i cili atëherë quheshte Cuamae. Ata e quajtën qytetin si “Kampanja e re”, për shkak të nostalgjisë ndaj regjionit të tyre, me emrin Cumae-nova dhe pak më vonë pësoi një ndryshim të vogël, Cum-a-nova (Kum-a-nova). Kjo rrjedh nga fjalët Latine “Cum ose Kum” që në gjuhën shqipe do të thotë “kur” ose “që nga” ose “së bashku” dhe “nova” që do të thotë e re.

Emri Kumanova shifet edhe në atlasin e vjetër Romak-“Tabula Peutingeriana”. Tabula Peutingeriana është e vetmja hartë ose atlas që tregonte rrjetin rrugor ushtarak dhe imperial Romak “Cursus Publicus”. Harta Tabula Peutingeriana është bërë nga një murg i quajtur Kolmar. Gjithashtu edhe historiani antik Romak, Gaius Sallustius Crispus i njohur si Sallust (86-34 BC), përmend emrin e vjetër të qytetit Zheglig – Cumaenova dhe ushtrinë Romake, të përqëndruar në Cumaenova, afër “Skupit”.

Jugosllavia dhe maqedonët sllavë duke mohuar ekzistimin shekullor të shqiptarëve dhe Ilirëve në këto rajone, shpifën një hipotezë se gjoja emri Kumanovë rrjedh nga fisi Kuman që paska jetuar në dhe rreth Kumanovës. Duhet sqaruar njëherë e qartë se Kumanët ishin aziatik, me origjinë kineze, nga rrjedhin edhe turqit (nga ujgurët). Fisi Kuman ishte i vendosur në veri të detit të Zi, përgjatë lumit Volga. Në shekullin XI fisi Kuman hyri në jug të Ukrainës së sotme, Moldavisë, Vallaçia dhe një pjesë të Transilvanisë (Rumuni të sotme). Shumë shpejt vendi Kuman u zgjërua duke përfshirë kështu pjesën veriore të detit të Zi dhe Detit Kaspik, deri te lumenjtë Dniepri, Volga, Urali, dhe Irtish. Thëne më mirë, Kumania ishte vendi që përfshinte Kazakhstanin, Ukrainën, Moldovën dhe Rumaninë e sotme.

Emri Kumanovë është përdorur para se të paraqiten Kumanët, siç e cekëm më parë. Ballkanologu dhe kronisti frëng Ami Boué, i cili e vizitoi Kumanovën në gjysmën e parë të shekullit XIX, më 1836, shkruan se Kumanova kishte afro 3000 banorë, kurse në të dhënat e konsullit austriak J.G. Han të vitit 1835, ky vend ka pasur 650 shtëpi. Prej fiseve më të vjetra turke në Kumanovë supozohet të ketë qenë fisi Oxhak, i cili ka pasur më tepër shtëpi dhe anëtarë se fiset tjera, por më vonë mbeti me një shtëpi dhe ajo u shpërngul në Turqi. Prej fiseve shqiptare ishin të pranishëm fisi Gono, Kotlerët, Malokët, kurse sot janë të pranishëm fiset: Berishë, Gashë, Krasniqë, Thaç, Sopë, Shalë etj., ku përkatësia fisnore është harruar dhe nuk përmendet fare te shtresat e popullësisë së kësaj treve. Në të kaluarën e largët historike Kumanova natyrisht se ishte një zonë që i takonte krahinës së Dardanisë dhe e banuar nga fisi iliro-Dardan. Në oborrin e Muzeut të Kumanovës edhe sot janë të ekspozuar pllaka guri të gdhendura me shkrime ilire dhe më pas romake. Në njërën nga ato lexojmë qartazi emrin “Dardan” (foto).

Prej lagjeve që kishte pasur në të kaluarën Kumanova ishin : “Mehmed Begu”, “Varoshi”, “Bari Begu”, “Endeki”, “Muhaxherët”, “Veleshka”, “Bislimët”- (nga fshati Bislim, tani i zhdukur), kurse sot ekzistojnë lagjet të njohura si “Orta Bunari”, “Lagjja e Trimave”, “Bahçja”, “Serava”, “Likova”, “Bedinja”, “Sredoreki”, etj. Objektet fetare, gjegjësisht xhamitë apo ndonjë objekt tjetër fetar si kishat, manastiret në rajonin e Kumanovës datojnë nga periudha e hershme kohore. Xhamia më e vjetër në Kumanovë dhe rrethinë është ajo e Tabanocit, ndërtuar më 1380, ku (Evlia Çelebija në shënimet e tij e përmend këtë xhami). Në Kumanovë egzistojnë shtatë teqe, katër prej tyre gjenden në lagjen e Sredorekit (lagje e romëve).

Në qytetin tonë gjithmonë kanë qenë prezente përpjekjet për ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës, për hapjen e shkollave dhe arsimimin shqiptar të popullatës së këtij rajoni, duke filluar qysh gjatë periudhës së lavdishme të Rilindjes sonë kombëtare, veçanërisht në kohën e Lidhjes së Prizrenit.

Për një mision të tillë ishte formuar “Klubi shqiptar i Kumanovës”, i cili u hap në janar të vitit 1909, nën udhëheqjen e atdhetarit, mësuesit Jashar Erebara. Ky klub hartoi abetaren e njohur “ABECEJA SHQIPE E KUMANOVËS”, ku mësohej shkrim-leximi.

Toponimia e rajonit të Kumanovës është me burim leksikor të shqipes, por për shkak të lidhjeve të shumta që ka pasur popullsia shqiptare në të kaluarën, por edhe në kohën e sotme me popullatën sllave dhe jetesa nën sundimin shekullor turk, ka ndikuar që në të folmen e këtij rajoni në përgjithësi dhe në leksikun toponimik në veçanti të depërtojnë fjalë të këtyre gjuhëve.

Sot, sipas disa të dhënave shqiptarët e qytetit të Kumanovës janë shumicë absolute. Në fakt, për ne nuk ka asnjë dyshim.

Ripostim