Kjo mbrëmje, asgjë s’më afron


Petro Sota

Ka rënë një mjergull e pa masë,
Si në një ëndërr Padova po rri,
Ndërsa syri më tej asgjë s’të has,
Është një heshtje e ngrirë për çudi.

Dhe rrugët s’po duken nga larg,
Pak i bllokuar, kam mbetur diku,
Vijnë makinat të rreshtuar në varg,
Por dhe unë në pritje gjithashtu.

Aty, para muzeumit statujat rrinë,
Me fytyra të ngrira si përherë,
Pa bubullima dhe pa shpërthim
Mjegulla, gjithë natën do të bjerë.

Por trami e pret si me thikë atë
Kur lëviz si dinosaur mbi shina,
Një grua, shikimin misterioz më lë
Kur unë, shoh manikinët në vitrina.

Në mes të kësaj qetësie të ngrirë,
Një qen pas një zonjë vjen tek unë,
Tek këmbët e mija, po rri duke lëpirë
E zonja klithi, si e trembur në gjumë.

Në këtë paqe të çuditëshme sonte,
Dëgjoj klithmën e tramit kur frenon,
Një mërzi të tillë, askush se donte.
Por kjo mbrëmje, asgjë s’më afron.

About Post Author