Kjo mesnatë-Ligor Stafa


Ligor Stafa

Kjo mesnatë nuk është vetëm një mesnatë dhe aq.

Si somnambul aty endet liria ime endacake,

endet kureshtía jote për të lexuar sytë e mi,

endet një këmishë nate që kafshon gjinjtë e tu,

mikja ime.

Është dridhmëpyetja jote “Nuk fle? Të zgjova unë?”,

dridhmëpyetja jote që e lexon mjaft mirë

gjumin tim polifaz

dhe pazgjimin tim,

mikja ime.

Po është edhe një drudhëz shprese që shpreson në befasitë gjurmëlehta,

në përqafimin e ëndrrës me zhgjëndrrën,

është drita e qirinjve që ti sjell me vete

në këtë brendashpellë, ku errësira picërron sytë,

mikja ime.

Afrohet ajo si një dashnore cipëplasur,

të merr përdore për të bërë të pabërën,

të flet për sekretet e sekreteve,

ta shton etjen për zdërhallje e gabime të fshehta,

mikja ime.

Eh, kjo mesnatë është vetë çmenduria ime,

çmenduria ime që kërkon të masë bukurinë tënde

me atë të famshmen prerje të artë:

A/B = B/C.

Është portreti im që krijon ti vetë, me ngjyrat e tua,

mikja ime.

Po është edhe një poezi që të josh ta mësosh përmendësh,

është gishti yt që më tregon shtëpinë sekrete të fjalës,

është etja jonë për të matur perimetrin e bredhëritjes,

është një puthitje kofshësh në një ballo me maska,

mikja ime.

Është edhe një mbështetje e përgjumur mbi bërryla,

është dëshirëpëshpërima jote “Më thuaj ndonje gjë të bukur!”

kur gjithçkaja përreth është e bukur,

aq e bukur sa unë në heraherë zgjas duart të prek ëndrrën tënde

e ti shtriqesh në mërmërimat e kësaj mesnate,

mikja ime.

Eh, s’do t’më ndahet aroma e kësaj mesnate

dhe frymëmarrja jote që këndon:

Fli poet… fli… pak më vonë… pak më vonë…

Pak më vonë? Pse pak më vonë?

Terrinëshkrirja do të vonohet sa një pakmëvonë,

mikja ime?