Klithma e Mesdheut
Baladë për emigrantët e kohërave moderne
Namik Selmani

1.
Vëruani veshin dallgëve të Mesdheut
Jo si polumbarët
Në kërkim të një amfore a të bauleve me florinj!
Dëgjoooni klithmën
Që mbetet për gjysëm në atë hon të blertë, të panginjur
Dëgjoni një fëmijë
Që dhe në bark të nënës qan e qan me ngashërimë.
2.
Vëruani veshët
Asaj vale që shkon në shpirtin e botës që zjarrmon!
Shihni sallat
Me llampadarë, mikrofonë, ngrohësa e kollare të kuqe!
Nëse
Nuk bëheni Mjeshtra arkivolësh për trupat e gjorë
Këputni
Nga sytë e nga zemrat e vrara, qoftë dhe një lule!
Gjakosini duart
Duke prerë qoftë dhe me dhëmbë telat e Murit qiklopik
Thërrisni vajatore
E prapë do ju mbesë një pikëlot i patharë
Bëhuni faqeskuqur
Jo si bujku që prek ugarin për ngrohtësi
Po si mëkatarë
në një GJYQ pa togëzinj, avokatë e gardianë!
Ujdisni me valë Mesdheu
Një djep të boshtë, pa ninulla, pa jastëk nën kokë!
Bëni një kukull të bukur
Me një emër të çuditshëm viktime në amëshim.
Mbillni një qipariz
Në fund të detit që si kazan po valon
Hidhni në pentagram
Oinë e pambaruar, më e përkryer se të gjitha simfonitë!
E bëni brenda vetes
Vetë një Mesdhe të dytë, me dallgën më të lartë!
Mos i mbyllni veshët
Si të Odiseut, nga dhimbja e brigjeve të gurëzuar!
A thua
Se BOTA është bërë lehonë e i mungokan sytë në ballë??
A thua
Se dasmat e pabëra po na thinjin të tërë pa i jetuar???!!!
A thuaaa?
Oh, i vini veshin Mesdheut!
Shurdhër u bëfshi një ditë që të gjithëëë!!