Koha ime-Llesh Gjoka


Koha ime është këmbanë, ajo jeton me tinguj

Çdo ditë më kumbon: Ding – dong! Ding – dong!

Me valët zanore ia mas hijen e saj të gjatë

asaj që rrjedhshëm shkoi.

Koha ime është historia e vogël e emrit që më pagëzuan

Abetarja e dashurisë sonë e hapur për lexim

Jetës së përkushtuar deri në kufij të çdo sekonde

Pa çensurë dhe pa shpërblim.

Koha ime lindi me mua mbi një faqe dheu

Atje në rrapëllimën e njerëzve mbi ura kur fryheshin lumenjtë

Atëhere kur pranvera shtrydhte qiejt e shirave

Dhe ne brigjeve të blerta përhumbeshim nëpër mjegull.

Koha ime, dikur, ishte një bregore me lule

Në prehërin e mbrëmjes i pritnim yjet që binin

Ndaj kishte flakërim brenda gjoksit tonë

Ndaj kishte gjithmonë aq gaz dhe shkëlqim fytyrash.

Koha ime më bëre shpejt të thinjem

Jetimi në ty s’ishte një kurs harrimi

Në karakoll e mpreha syrin tim çdo ditë

Që ëndrrat të mos na i vrasi i ligu.

S’kam ç’të them, përdore po të marr si fëmijë

Me hapa të vegjël, me përkëdhelí të fryra

Nuk kam më forcë të lëndohem

Gjetiu i përcolla, inate, brenga dhe mërira.

Koha ime, enigmë që më rri zgjuar

Tejplot jam i mbushur, ku po më shpie me nxitim?!

Sa re të zymta qiellit i ndërrove

Tash, veç diellin falma

Pema e lulëzuar e jetës të mos bëhet fir.