Koha lëviz me mua-Llesh Gjoka


Koha kozmike lëviz në qiej të largët.

Edhe unë i pareshtur në soditjen e saj.

Me një kureshtje të marrë lartësoj sytë e mi.

Vuaj sëmundjen e rëndë prej ëndërrimtari.

Çuditshëm shoh brenda sarkofagut të saj

atje ku lëviz koha ime gjurmimit nëpër tokë

provania e zotit në shtat qiej.

Por unë kam qiellin më të bukur në botë.

Koha ime është një gjysëm segmenti

nga lindja e bekuar gjer në të përjetshmen.

Sepse në infinit tejçohen përshpirtjet, lutjet hyjnore

në kërkim të së vërtetës.

Kohën që kaloi e mas nga tumat e stërlashta

Po ç’të bëj me kohën e sotme të pamatë.

Më pështillet sysh si një mjegull e zymtë.

Nganjëherë syverbuar më lë ajo vorbull e zjarrtë.

Në checup – in e saj dua të dal pa cene

Recetat e zemrës i ndjek me përqafime, me lot, me fjalë

Dhe nuk e di ç’të bëj me kohën që lëviz me mua

Stigma ime që më vjen pa u ndier në ballë.

Koha ime mat çdo rektimë, shkund çdo gulf ndjesor

Të gjithë pulsantët i ndeza, në damarë ia ndjej lëvrimin.

Dhe ashtu shpirtngulmuar, hepohem mbi tokë

I hap udhë dashurisë që nga poret e ndjen gjallimin.