Koha-Seti Pezaku Vladi


KOHA

Lehtë-lehtë pa u ndjerë e tinzare

rrëshket koha, na merr përdore,

plugon fytyrave brazda mëkatare,

këput gjethet e pemës rinore.

Tik-taku i saj me ritmin monoton

pas vetes çuditërisht na tërheq ngadalë,

asnjeri prej nesh atë s’e kupton,

se lundra e jetës rrëshqet mbi valë.

Në heshtje me të baballarët largohen,

nënat zbresin shkallët pa ndjerë,

atëherë kur ora vjen, mendjet na zgjohen,

përplasim duart e vemë poterë.

Vrapon koha me natën e ditën,

me vapën, acaret e shirat rrëke,

nëpër shelgje në breg lundra ka zënë pritën,

të marrë pasagjerët e rradhës nga ne.