Kompozitori i shquar kroat dhe ish Presidenti i Kroacisë z. Ivo Josipovic vlerësohet me titullin DOCTOR HONORIS CAUSA nga Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë


Vasil Sofokli Tole

Marre nga Facebook

Kompozitori i shquar kroat dhe ish presidenti i Kroacisë z. Ivo Josipovic vlerësohet me titullin DOCTOR HONORIS CAUSA nga Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë. Ndjehem i nderuar të isha njëri orej dy rekomanduesve për këtë titull nderimi.

Kompozitori i shquar kroat dhe ish presidenti i Kroacisë z. Ivo Josipovic vlerësohet me titullin DOCTOR HONORIS CAUSA nga Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë. Ndjehem i nderuar të isha njëri orej dy rekomanduesve për këtë titull nderimi. 👏👏👏

Më poshtë fjala që mbajta.

▪︎ “Kompozitori që u bë president”

Jam shumë i nderuar që më jepet mundësia të flas sot përpara jush me rastin e vlerësimit të kompozitorit të shquar kroat, prof. Ivo Josipoviç me titullin doktor “Honoris Causa” nga Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë. Me këtë rast, sjell për ju i nderuar profesor Ivo edhe përshëndetjet me të ngrohta të bashkësisë akademike shqiptare dhe të kompozitorëve në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe atyre të diasporës, të cilët marrin pjesë shpirtërisht e në distancë në këtë vlerësim Tuajin.

Si fillim do të pohoja se është shumë e vështirë, do të thosha, pothuajse e pamundur të ndash si me thikë nga personaliteti i Ivo Josipoviçit: kompozitorin nga juristi; profesorin dhe drejtuesin e Bienales së Zagrebit dhe të shoqatës së kompozitorëve të Kroacisë – nga deputeti dhe politikani; Ivon si qytetar kroat e njëherazi europian – nga presidenti i vendit të tij, e kështu me radhë. Megjithëse nuk i kam të gjitha përgjigjet, se përse janë mpleksur te qenia e Tij të gjitha këto tipare kaq interesante, çmoj se ato i kanë plazmuar Atij veçori unike përmes të cilave e njohin tashmë të gjithë. Ajo që mund të them me plot gojën është se kjo larmi, e cila më së pari është në thelb kulturore, aspak ndarëse e izoluese, por bashkuese e ndërtuese, është treguesi më i qartë i kualitetit të lartë njerëzor dhe intelektual që kompozitori Ivo Josipoviç, profesori Ivo Josipoviç, politikani dhe presidenti Ivo Josipoviç përfaqëson për të gjithë ata që e njohin, për vendin e tij si dhe për ne që jemi mbledhur sot për ta nderuar. Nga ana tjetër, me postet publike që ka pasur në jetën artistike dhe shtetërore në Kroaci, Ai ka bërë shumë përpjekje dhe ia ka arritur që krijuesit dhe interpretuesit kroatë të muzikës të kenë hapësira dhe mbështetje shtetërore të konsiderueshme për kryerjen e veprimtarisë së tyre.

Është vërtet tërheqëse të gjesh lidhjet e brendshme që ekzistojnë mes dy pasioneve të jetës së prof. Josipoviçit: muzikës dhe jurisprudencës. Që të dyja këto fusha në dukje të parë pa lidhje, i përbashkon rregulli i brendshëm që ekziston dhe buron prej tyre. Muzika nuk bën dot as pa harmoninë dhe as pa proporcionet e sakta matematikore në prodhimin e tingujve, ashtu si jurispridenca nuk bën dot pa thelbin e saj, të drejtën dhe dhënien e saj. Që të dyja synojnë “prerjen e artë” e cila është gjendja ideale e përsosmërisë absolute në jetë dhe në art. Njerëzit që i kanë të dyja këto dimensione, pra shpirtëroren dhe strukturoren njëherazi, kanë diçka të ngjashme me perënditë antike. Ndër ta, në mend më vjen Apolloni, një nga perënditë e Olimpit, vëlla i Zeusit, shefi i muzave dhe Zot i dritës, i dijes, i cili ishte i drejtë në vendimet që jepte e njëherazi e identifikonte veten me instrumentin muzikor të lirës, të cilën e mbante gjithë kohës në dorë. Kjo gjendje e dyfishtë duket se i ka dhënë personalitetit të krijuesit dhe profesorit Josipoviç një veçori unike, atë veçori që aq bukur e ka shprehur Igor Stravinski, kompozitor promotor i muzikës së shek. XX kur thotë: – “Dialektika supozon se Arti është sinonim me lirinë krijuese, por nuk është ashtu. Arti është shumë i lirë kur ai është limit, kanonikal dhe dogmatik”. Pra, liri artistike e kushtëzuar nga rregullat e krijimit. Me sa duket, personaliteti i prof. Josipoviçit, aty ku plekset liria ideale e tingujve si kompozitor me rregullin që buron nga ligjet dhe jurisprudencën e dëshmon më së miri përmbushjen e këtij postulati.

Referuar bibliografisë së krijimtarisë muzikore të prof. Josipoviçit, janë mbi 60 vepra muzikore në pothuajse të gjitha gjinitë të shkruara deri më tani prej tij. Duhet të theksoj faktin se krijimtaria muzikore kroate ka qenë shumë e zhvilluar në raport me vendet e tjera të ish-Jugosllavisë dhe kompozitorë të tillë si Milko Kelemen, Ivo Malec, Vinko Klobucar etj., janë kompozitorë të kategorisë europiane, në plot kuptimin e fjalës. Kësaj trashëgimie të madhe kroate dhe europiane i përket edhe emri dhe opusi krijues i prof. Josipoviçit.

Është shumë e rëndësishme të pohojmë se krijimtaria muzikore pas Luftës së Dytë Botërore në Europë pati zhvillime intensive. Nga njëra anë, në ish-vendet e Lindjes kompozitorët u orientuan të shkruanin muzikë, kryesisht tonale e tradicionale, të mbështetur mbi parimet e “realizmit socialist”, kurse në anën tjetër, në atë perëndimore, muzika pati zhvillime teknike jashtëzakonisht të mëdha, të cilat shpesh nxorën në pah disa aspekte që lidhen me formalizmin e skajshëm të parametrave të muzikës, duke sjellë si rezultat një të ashtuquajtur “akademizëm muzikor”, i cili, gati-gati, shkëputi lidhjet e muzikës me dëgjuesit tradicionalë, me ata që muzika i kishte krijuar gradualisht prej qindra vitesh. Mund të themi me plot gojën se muzika e shkruar në Kroaci dhe posaçërisht ajo e krijuar nga Ivo Josipoviç, mbart brenda saj frymëzimin artistik aq të domosdoshëm për krijimet muzikore, e njëherazi edhe një tërësi mjetesh teknike bashkëkohore, të cilat janë të domosdoshme për të provuar origjinalitetin krijues dhe bashkëkohësinë e saj. Me vlerat që ajo ka dhe përcjell është tashmë pjesë integrale e peizazhit muzikor europian bashkëkohor.

Ardhja në Shqipëri dhe vlerësimi plotësisht i merituar i prof. Ivos me titullin e nderuar “Doktor Honoris Causa”, do s’do, na sjell ndër mend faktin se lidhjet shpirtërore e posaçërisht ato muzikore mes shqiptarëve dhe kroatëve janë bekuar nga emra të mëdhenj të muzikës kroate me origjinë shqiptare, si p.sh., kompozitori Luka Sorkoçeviç (1734-1789) nga familja SORGO, i konsideruar si simfonisti i parë kroat, e po ashtu edhe nga minoriteti kulturor “arbëreshët e Zarës” në Kroaci. Ndër të tjera, albanologu i njohur kroat, Henrik Bariqi, thekson faktin se shqiptarët janë miq të vjetër të dubrovnikasve dhe në Dubrovnik qëmoti ka pasur shqiptarë, në mesin e të cilëve edhe familja Sorgo (Sorkoçeviq), e cila u pranua në aristokracinë e Dubrovnikut, sepse, sipas rrëfimeve, një paraardhës i tyre, një shqiptar nga Rodoni, në çastin e fatkeqësisë kishte sjellë sasi të mëdha sorgumi (një lloj drithi), që e shpëtoi Dubrovnikun nga uria. Familje të tjera fisnike të Dubrovnikut me origjinë shqiptare ishin edhe: Bona (Bunic), Giorgi (ose Gjurgjevic, Zorzi, Georgi, Giorgi), Cerva (Crijevic), Kaboga (Kabuzic, Caboga), Sorgo (Sorgocevic, Sorkocevic), Saraca (Saracic), Pesta (Pestic), Bobali (Bobaljevic), Pozzo (Pucic) etj. Nga ana tjetër, shkrimtari dhe intelektuali i njohur kroat, Predrag Matvejeviç i përmend edhe ai Sorkoqeviçët, dhe duke folur për kulturat si sisteme të hapura, pohon se ato pasurohen nëpërmjet ndikimeve nga jashtë. Ai shkruan se kultura kroate i kishte hapur horizontet e saj për zëdhënësit e vullnetit të mirë dhe kontribuesit e zhvillimit kulturor kroat, përkundër origjinës së tyre jokroate duke pasur parasysh shqiptarët, në radhë të parë. Prof. Ramadan Sokoli përmend edhe një sërë muziktarësh të tjerë që zhvillonin veprimtarinë e tyre në Kroacinë mesjetare si Dragan Prizreni, Kolë Durrsaku, Filip Drishti, Progon Burizani, Xanet Agustini, Kristofor Ulqini etj.

Më sipër përmenda që ju sjell përshëndetjet edhe nga kompozitorët shqiptarë të Shqipërisë, të Maqedonisë së Veriut dhe të Kosovës. Po. Ata ju përshëndesin i nderuar kolegu ynë, dhe përmes rrëfimit të prof. Rafet Rudit nga Prishtina të sjellë enkas për këtë aktivitet nderimi Tuajin, na vjen e gjallë vlera e krijimtarisë së Ivo Josipoviç në Kosovën e para viteve 1990. Bëhet fjalë për një nga veprat më të njohura Tuajat, e titulluar Agnus Belli (“Qengji i luftës”), e kompozuar për kor miks. Sipas rrëfimit të kompozitorit dhe dirigjentit të njohur Rafet Rudi ajo është interpretuar në Kosovën e vitit 1984 nga kori i Radio Televizionit të Prishtinës, në kohën kur presioni ideologjik i Serbisë mbi programet muzikore dhe repertorin që interpretohej nga kori i RTP ishte shumë i madh. Rafet Rudi shkruan: … në një rast, unë kisha futur në program veprën e kompozitorit kroat Ivo Josipoviç “Agnus Belli”…Ivo Josipoviç, ishte njëri prej kompozitorëve më të talentuar të gjeneratës së re në muzikën moderne kroate të asaj kohe. Ishte një vepër që përshtatej me fizionominë e programit që përgatisja, në çdo aspekt. Ishte vepër me shprehje moderne, me një ortografi bashkëkohore (në partiturë krejtësisht grafike) që ato vite unë kultivoja, por kishte edhe veçori të tjera të një tingëllime bashkëkohore. Përveç të tjerash, vepra kishte një tekst të fuqishëm dhe i cili, çuditërisht, përkonte me ngjarjet e dhembshme që atyre ditëve zhvilloheshin në rrugët e Kosovës. Koncerti u mbajt, veprën e incizuam në Studion e Radios, siç bënim me të gjitha veprat të tjera. Pas disa ditësh apo javësh, unë e kuptoj se disa muzicientë serbë, ishin ankuar publikisht “se Prof. Rafet, e ka futur në program këtë vepër, ku flitet për gjak, dhunë etj…për ta paraqitur në mënyrë të “shtrembëruar” situatën në Prishtinë, kinse policia po vret njerëz nëpër rrugët e qytetit…ndaj duhet që organet kompetente të kenë kujdes për programet e Korit, sepse teksti i kësaj vepreje është politikisht i paqëndrueshëm”. Në fakt, kishin të drejtë, meqë, unë me qëllim e kisha zgjedhur atë vepër, për shkak se përmbajtja e tekstit të veprës, çuditërisht, përkonte me ngjarjet e dhembshme të cilat zhvilloheshin nëpër rrugët e Kosovës – vriteshin demonstrantët…kurse teksti “problematik” i AGNUS BELLI thoshte: (“…ulicama proljeće krv… Agnus belli… ljudi pobjedu slavi”) …rrugët derdhin gjak… Qengji i luftës, ai feston fitoren….”.

Regjistrimin e kësaj vepre nga Kori i Prishtinës bërë në vitin 1984, kam kënaqësinë që t’ia dhuroj prof. Ivos, të dërguar enkas për këtë rast nga prof. Rafet Rudi nga Kosova. Ndërkohë, çmoj se ne kemi ende shumë për të bërë që rëndësia e veprës Suaj të njihet dhe të popullarizohet akoma më shumë në Shqipëri.

Së fundi,

Rëndësia e një universiteti lidhet sa me akreditimin e programeve, standardet e profesoratit e arritjet e studentëve, por dhe me ato personalitete që kanë pranuar të jenë atashuar si pjesë e strukturave të tij. Me ceremoninë e sotme dhe vlerësimin e prof. Josipoviçit si “Doktor Honoris Causa”, Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë ka fituar një dimension akoma më të madh e më të rëndësishëm si qendër e dijes, edukimit dhe shkencës.

About Post Author